Protestë për mosrespektimin e dispozitës së re ligjore për vjetërsimin e borxheve

featured
Press Online
04 Shtator 2023, 15:14

Organizatorët e protestës do t'u shpërndajnë qytetarëve formularë me të cilat mund t'u drejtohen përmbaruesve për të kërkuar ndërprerjen e procedurave për të cilat janë plotësuar kushtet e afateve të reja. Të gjithë të pranishmit do të marrin edhe padi të përgatitur penale, të cilën do të mund ta parashtrojnë ndaj përmbaruesve, të cilët nuk do të veprojnë konform kërkesës së tyre.

Shoqatat “Njeriu mbi fitimin”, “No Pasaran”, KSOM dhe PCER shpresojnë se në këtë mënyrë më në fund do t’u qëndrojnë në rrugë përmbaruesve që deri më tani kanë refuzuar të ndërpresin procedurat, me çka sipas tyre praktikisht nuk i respektojnë ndryshimet në ligjin për marrëdhëniet e obligacioneve që kanë të bëjnë me vjetërsimin e borxheve.

“Një nga arsyetimet e tyre ka qenë se nuk kanë marrë formularë nga Ministria e Drejtësisë, ndaj tani ne do t'ua japim terkun qytetarëve. Nëse Ministria nuk i ka dorëzuar këto formularë, atëherë haptazi dyshojmë se edhe ata janë pjesëmarrës në të gjithë lojën”, tha për “Lokalno” Marjan Nenov nga shoqata “No Pasaran”.

Ai rikujton se në kuadër të këtij institucioni ekziston Departament për kontrollin e përmbaruesve, por që siç thotë ai, i njejti nuk funksionon.

Si kontradiktë, ai përmend ndryshimin e situatës aktuale me atë të vitit 2019, kur u miratua ligji i ri për përmbaruesit, i cili zbatohej edhe në mënyrë retroaktive. Andaj, vendimin e Odës së Avokatëve e konsideron tejet kontrovers, pikërisht retroaktivitetin e ndryshimeve në Ligjin për Marrëdhënie Detyrimore si arsye për kontestimin e kushtetutshmërisë.

“Për momentin duhet të kishin përfunduar të gjitha procedurat ekzekutive që plotësojnë kërkesat e afateve të reja. Në këtë mënyrë, personat-debitorë do të çliroheshin nga pagesat e mëtejshme. Prandaj pyes Odën e Avokatëve kujt i shërben - përmbaruesve, apo oligarkët janë shefat e tyre të përbashkët?”, potencon Nenov, përcjell PRESSonline.al

Është koha, sipas tij, kur Gjykata Kushtetuese duhet të respektojë nenin 52 të Kushtetutës së vendit sipas të cilit ligjet dhe rregulloret e tjera mund të kenë efekt prapaveprues në rastet kur kjo është më e favorshme për qytetarët. Për të, është më se e qartë se qytetarët janë përballë lobit të përmbarimit, i cili është jashtëzakonisht i fuqishëm, duke i lejuar vetes të mos i bindet ligjit sepse e di paraprakisht se nuk do të ketë asnjë kallëzim penal ndaj Odës së tyre.

Kjo protestë, siç shpjegon Nenov, duhet të mbrojë ligjin e ri që kufizon skllavërinë e borxhit, kontrollin dhe pushtetin e pakufizuar të përmbaruesve dhe oligarkëve.

Me qëndrim të ngjashëm ndaj protestës del edhe ish-deputeti Samka Ibraimovski.
“Mosrespektimi i ligjit dhe arbitrariteti i përmbaruesve na bënë të organizojmë këtë protestë. Do të kërkojmë nga Ministri i Drejtësisë që të sigurojë zbatimin e këtij ligji, por edhe do të kërkojmë raport me sqarim nga kryetari i Odës së Përmbaruesve se pse nuk respektohet ligji”, tha Ibraimovski për “Lokalno”.

Sipas tij, po aq e rëndësishme është edhe miratimi i një rregulloreje me akt nënligjor sipas të cilit do të jepen udhëzime për mënyrën se si do të zbatohet ligji. Ai kujton se nevojën e një rregullimi ligjor të vjetërsimit të borxheve e ka vënë në dukje kur ka qenë deputet, por ligji është miratuar pavarësisht presioneve të oligarkëve.

Në protestën e sotme shoqatat “Njeriu mbi fitimin”, “No Pasaran”, KSOM dhe PCER do të kërkojnë nga ministri i Drejtësisë dhe qeveria të deklarohen pse nuk zbatohen ndryshimet në Ligjin për Marrëdhënie Detyrimore nga përmbaruesit, të cilat i referohen vjetersimit të borxheve, i votuar nga Kuvendi dhe i publikuar në Gazetën Zyrtare më shumë se një muaj më parë.

Në këtë drejtim është edhe shpjegimi i tyre se në përputhje me Ligjin për Ndryshimet dhe Plotësimet e Ligjit për Marrëdhënie Detyrimore (Gazeta Zyrtare e RMV-së nr. 154, datë 20.07.2023) në nenin 2, parashihen ndryshime në dispozitën e nenit 368 të këtij ligji, në të cilën përcaktohet se procedura përmbarimore mund të realizohet brenda 10 viteve nga data e paraqitjes së Kërkesës për përmbarim, pas së cilës fillon vjetërsimi absolut.

Ata paralajmërojnë se moszbatimi i ligjit, veçanërisht nga nëpunësit e lartë civil, është shpërdorim i detyrës dhe autoritetit zyrtar, sipas nenit 353 të Kodit Penal.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter