Moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe i paqëndrueshëm, me reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe erë të përforcuar. Lokalisht priten procese më intensive në formë moti të lig, me reshje më të dendura shiu, bubullima, erë të fortë dhe paraqitje të izoluar të breshrit.
Siç njoftojnë nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), temperatura minimale do të lëvizë nga 10 deri në 18 gradë, ndërsa ajo maksimale do të arrijë nga 25 deri në 34 gradë Celsius.
Në Shkup, moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme, ndërsa në disa pjesë të luginës do të jetë i paqëndrueshëm me reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe erë të përforcuar. Temperatura minimale do të zbresë në 16 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë deri në 32 gradë.
Gjatë ditëve në vijim pritet mot me vranësira të ndryshueshme dhe i ngrohtë, me periudha me diell. Në orët e pasdites do të ketë paraqitje të paqëndrueshmërisë lokale, me reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe erë të përforcuar. Për shkak të energjisë së lartë në atmosferë, do të ketë kushte për paraqitje të motit të lig afatshkurtër.






