Më shumë se çdo i dyti person i punësuar në Zvicër është i shqetësuar për sigurinë e vendit të tij të punës, sipas një studimi të ri të publikuar në vend.
Të dhënat tregojnë se 54 për qind e të punësuarve kanë frikë për të ardhmen e tyre në tregun e punës, ndërsa një vit më parë kjo përqindje ishte 48.8, shkruan medium zviceran, SRF.
Studimi, i realizuar nga organizata Travail.Suisse në bashkëpunim me Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Bernës, përfshiu 1 mijë e 419 persona, transmeton Telegrafi.
Rezultatet tregojnë gjithashtu se 42 për qind e të anketuarve ndihen shpesh ose shumë shpesh të stresuar në vendin e punës, ndërsa 41.5 për qind deklarojnë se ndihen emocionalisht të rraskapitur pas përfundimit të orarit të punës.
Rritja e pasigurisë në mesin e punonjësve vjen në një kohë kur tregu zviceran i punës po përballet me ndryshime dhe sfida të reja, përfshirë transformimin digjital dhe përdorimin në rritje të inteligjencës artificiale.



