Irani ka lëshuar më shumë dronë dhe raketa gjatë javës së fundit, se në çdo periudhë tjetër të vitit të kaluar, deklaroi dje në mbrëmje presidenti amerikan Donald Trump.
“Mos u shqetësoni, të gjithë janë rrëzuar dhe nuk kanë shkaktuar asnjë dëm”, shkroi Trump në platformën e tij “Truth Social”.
Sulmet ndaj anijeve cisternë me naftë në Ngushticën e Hormuzit, janë shtuar gjithashtu kohët e fundit, ndërsa Teherani dyshohet se qëndron pas tyre. Edhe Bahreini, shteti i Gjirit Persik, ku ndodhen baza ushtarake amerikane, është bërë vazhdimisht objekt i sulmeve iraniane.
Ngushtica e Hormuzit, një rrugë detare jetike për furnizimin global me energji, është kthyer në një pikë të nxehtë përplasjesh mes Uashingtonit dhe Teheranit, që prej nisjes së luftës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kundër Iranit në fund të shkurtit.
Sulmet e fundit kanë shtuar shqetësimet për një përshkallëzim të ri të konfliktit në rajon.



