Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, ka vlerësuar promovimin e sistemit “One Stop Shop” në pikën kufitare të Qafë Thanës si një hap konkret drejt lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve dhe forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Sali ka theksuar simbolikën e veçantë të këtij aktiviteti, i cili u zhvillua pikërisht më 22 Nëntor, në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në praninë e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. “Sot, në Ditën e 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, një datë që mban në vete historinë, sakrificën dhe krenarinë tonë kombëtare, patëm nderin të promovojmë One Stop Shop në pikën kufitare të Qafë Thanës”, ka shkruar Sali.
Sipas tij, përzgjedhja e kësaj date për promovimin e sistemit të ri kufitar bart një mesazh të rëndësishëm, duke ndërlidhur përpjekjet historike për njësimin e alfabetit shqip me angazhimet e sotme për afrimin e qytetarëve dhe lehtësimin e komunikimit ndërmjet dy shteteve. “Është simbolike që pikërisht në këtë ditë historike, kur kujtojmë ata që u bashkuan për t’i dhënë gjuhës shqipe alfabetin e saj të njësuar, ne bëjmë një hap konkret për të lehtësuar jetën e qytetarëve dhe për të afruar edhe më shumë njerëzit tanë”, ka theksuar zëvendëskryeministri i parë.
Ai ka nënvizuar se 22 Nëntori mbetet një datë që simbolizon bashkimin, gjuhën dhe identitetin kombëtar, ndërsa projekte si “One Stop Shop” dëshmojnë se lidhjet historike mund të shndërrohen në bashkëpunim praktik, me më pak pritje në kufi dhe më pak procedura burokratike.
Sali ka theksuar gjithashtu se përgjegjësia e institucioneve të sotme është që trashëgiminë historike dhe sakrificat e brezave të mëparshëm t’i kthejnë në mundësi konkrete për të ardhmen. “Sepse historia na ka mësuar sa shumë kemi sakrifikuar për të qenë bashkë, ndërsa përgjegjësia jonë sot është të ndërtojmë ura bashkëpunimi dhe mundësi më të mira për brezat që vijnë”, ka përfunduar Bekim Sali.



