Ndërtimi i segmenteve të autostradës së Korridorit 8 në pjesën perëndimore të vendit është intensifikuar gjatë dy viteve e gjysmë të fundit, ndërsa i gjithë aksi rrugor pritet të përfundojë deri në vitin 2029, njoftoi sot kryeministri Hristijan Mickoski në promovimin e sistemit të integruar kufitar “One Stop Shop” në vendkalimin kufitar Qafë Thanë.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me ecurinë e ndërtimit të autostradave dhe infrastrukturës rrugore në pjesën perëndimore të shtetit, Mickoski theksoi se segmentet Tetovë–Gostivar dhe Gostivar–Bukojçan po përparojnë sipas dinamikës së paraparë.
Ai informoi se ka filluar edhe ndërtimi i segmentit Bukojçan–Kërçovë, i cili duhet të lidhë segmentet e reja të autostradës me autostradën Kërçovë–Ohër, duke përmbyllur kështu lidhjen rrugore nga Tetova deri në Ohër.
Sa i përket vazhdimit të autostradës drejt vendkalimit kufitar Qafë Thanë, Mickoski theksoi se në afërsi të vendbanimit Trebenishtë është vendosur një kryqëzim për vazhdimin e trasesë, por për këtë segment do të duhet të shqyrtohet një zgjidhje alternative teknike.
Siç shpjegoi kryeministri, arsyeja është se bëhet fjalë për një zonë që është nën mbrojtjen e UNESKO-s dhe, në përputhje me raportin e fundit, duhet të gjendet një zgjidhje që do t’i marrë parasysh këto kufizime.
Mickoski paralajmëroi se autostrada Kërçovë–Ohër pritet të vihet në përdorim deri në fund të tremujorit të dytë të vitit të ardhshëm, ndërsa i gjithë aksi rrugor nga Tetova deri në Ohër pritet të përfundojë deri në vitin 2029.



