Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka rikujtuar përpjekjet e para 20 viteve për sjelljen e bustit të Skënderbeut në Shkup, duke i krahasuar pengesat e atëhershme me përurimin e sotëm të sistemit “One Stop Shop” në pikën kufitare Qafë Thanë, mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Mexhiti ka theksuar simbolikën e rikthimit të tij në të njëjtën pikë kufitare, pikërisht më 22 Nëntor, në Ditën e Alfabetit Shqip. “Para njëzet vjetësh, isha në Qafë Thanë për ta sjellë në Shkup bustin e Skënderbeut. Sot jam përsëri këtu, për ta bërë më të lehtë kalimin e këtij kufiri”, ka shkruar Mexhiti.
Ai ka kujtuar se dy dekada më parë, autoritetet nuk kishin dhënë leje për hyrjen e bustit të heroit kombëtar shqiptar në Maqedoni, ndërsa për vendosjen e tij në Shkup ishte dashur këmbëngulje dhe përballje me pengesa institucionale. “Atëherë, autoritetet nuk kishin dhënë leje që busti i Skënderbeut të hynte në vend. Na u desh të këmbëngulnim që ta sillnim përmes Qafë Thanës dhe ta vendosnim në Shkup, në sheshin që sot mban emrin e tij. Pra, ajo që atëherë dukej e pamundur, sot na duket krejt e natyrshme”, ka theksuar ai.
Sipas Mexhitit, përurimi i sistemit “One Stop Shop”, në prani të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, zëvendëskryeministrit Bekim Sali dhe bashkëkryetarit të VLEN-it, Bilall Kasami, dëshmon një qasje të re në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.
Me këtë sistem, kontrollet kufitare do të kryhen në një vend të përbashkët, duke mundësuar kalimin e qytetarëve me vetëm një ndalesë.
Mexhiti ka vlerësuar se ndryshimi mes dy periudhave dëshmon se çështjet që dikur shoqëroheshin me pengesa politike dhe institucionale, sot mund të zgjidhen përmes bashkëpunimit dhe marrëveshjeve ndërshtetërore. “Atëherë na duhej të përballeshim me pengesa edhe për ta vendosur një figurë të historisë sonë në një shesh të Shkupit. Sot ulemi në të njëjtën tryezë, marrim vendime të përbashkëta dhe i zbatojmë në paqe, dhe me respekt për të drejtat e secilit”, ka shkruar bashkëkryetari i VLEN-it. Ai ka theksuar se, pas zbatimit të këtij modeli me Kosovën, koalicioni VLEN po e shtrin atë edhe në pikat kufitare me Shqipërinë.
Sipas tij, zbatimi fillon në Qafë Thanë, ndërsa marrëveshja përfshin edhe pikat kufitare Bllatë, Goricë, Tushemisht dhe Xhepisht–Trebisht.
Mexhiti ka nënvizuar se përgjegjësia e institucioneve është që marrëveshja të zbatohet plotësisht, në mënyrë që qytetarët t’i ndiejnë konkretisht përfitimet përmes shkurtimit të pritjeve dhe lehtësimit të lëvizjes ndërkufitare.
Në fund, ai e ka lidhur përurimin e këtij sistemi me 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit Shqip, duke theksuar se kjo datë mbart një simbolikë të veçantë për shqiptarët në të dyja anët e kufirit. “Në Manastir, mbi një shekull më parë, shqiptarë nga vise të ndryshme u ulën bashkë dhe i dhanë shqipes një alfabet të përbashkët. Me të kemi mësuar të lexojmë e të shkruajmë në të dyja anët e këtij kufiri. Sot, po ua shkurtojmë pritjen në kufi njerëzve që e flasin atë gjuhë kur mbërrijnë te familja, te miqtë, te njerëzit e tyre. Për mua, kjo është mënyra më e mirë për ta shënuar këtë 22 Nëntor”, ka përfunduar Mexhiti.



