Kryeministri Albin Kurti është deklaruar lidhur me vizitën në Kosovë të ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, duke shprehur solidaritet me familjen e tij në këtë periudhë të vështirë.
Kurti ka deklaruar para gazetarëve se situatën në familjen Krasniqi e vlerëson si jashtëzakonisht të dhimbshme, duke u shprehur se të gjithë bashkëndjejnë me vuajtjen e tyre.
“Është jashtëzakonisht e dhimbshme situata e rëndë në familjen e ish-kryekuvendarit, Jakup Krasniqi, dhe në këto momente të vështira natyrisht që të gjithë bashkëndjejmë me vuajtjen edhe dhimbjen dhe urojmë që gjithçka të shkojë sa më mirë që është e mundur”, ka thënë Kurti.
Ai ka folur edhe për dënimin prej 25 vjetësh burgim që Gjykata Speciale ia shqiptoi Krasniqit, duke e cilësuar vendimin si të shoqëruar me pasaktësi historike dhe faktike.
“Në një situatë kur ai u dënua me 25 vjet burg, me gjithë ato pasaktësi historike e faktike, padyshim që të gjithë jemi pranë familjes Krasniqi”.
Krasniqi, po qëndron për të dytën ditë në Kosovë, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij.
Albanian Post ka mësuar nga burimet e saj se Krasniqi pritet të qëndrojë katër ditë në Kosovë. Megjithatë, nga Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë deklaruar për Albanian Post se, për momentin, nuk mund ta konfirmojnë kohëzgjatjen e vizitës së tij.
Edhe të enjten, Krasniqi është transportuar nga selia e EULEX-it në Fushë Kosovë drejt shtëpisë së tij në Prishtinë, ku ka pasur mundësi të qëndrojë pranë familjarëve.
Kjo është hera e dytë që Krasniqi viziton Kosovën që nga transferimi i tij në Hagë, në nëntor të vitit 2020. Vizita e tij e mëparshme ishte realizuar në tetor të vitit 2024.
Krasniqi u dënua me 25 vjet burgim, aq sa edhe ish-presidenti Hashim Thaçi. Kadri Veseli u dënua me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim. Në dënimet e tyre është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim.


