Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për deklaratën e tij se gjuha shqipe nuk ka qenë kurrë gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.
Ahmeti është shprehur thellësisht i lënduar, duke e akuzuar Kurtin se ka mbështetur qëndrimin e kryeministrit maqedonas, Hristijan Mickoski.
Ahmeti ka thënë se deklarata e Kurtit nuk e ka lënduar vetëm atë personalisht, por edhe ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK). Ai ka kujtuar sakrificën e dëshmorëve, duke përmendur Afrim Kalanicën dhe nënën e tij, të cilën e kishte parë duke qarë pranë varrit të të birit në Sllupçan.
Kreu i BDI-së ka vënë në pikëpyetje kuptimin e sakrificës së dëshmorëve, nëse mohohet statusi zyrtar i gjuhës shqipe, për të cilën është luftuar. Ai e ka cilësuar deklaratën e Kurtit si të turpshme dhe ka thënë se tri herë ka kërkuar publikisht sqarim nga kryeministri kosovar, por nuk ka marrë përgjigje.
Sipas Ahmetit, deklarata e Kurtit është shfrytëzuar për rreth një muaj nga mediat televizive në Maqedoninë e Veriut si argument kundër statusit zyrtar të shqipes. Ai ka thënë se kjo deklaratë ka lënduar shpirtërisht edhe ish-pjesëtarët e UÇK-së, përfshirë mbi 3 mijë pjesëtarë që, sipas tij, jetojnë në Kosovë.


