Prokuroria Themelore Publike Shkup ka hapur procedurë hetimore ndaj një punonjësi të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMS). Ai dyshohet për veprën penale “marrje ryshfeti” sipas nenit 357 paragrafi 1 i Kodit Penal. Shuma e ryshfetit të dyshuar është 32.000 denarë, rreth 500 euro. Prokuroria i ka propozuar gjykatës masën e paraburgimit për të dyshuarin. Arsyeja është rreziku i arratisjes dhe i përsëritjes së veprës.
expres
Bëhet fjalë për Lj.N., 63 vjeç nga Shkupi. Kallëzimin penal ndaj tij e ka parashtruar Njësia për Korrupsion, pranë Sektorit për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë. Si zyrtar i DMS-së, ai kishte autorizim për të nënshkruar, për të dhënë mendime dhe për të lëshuar pëlqime për planet hapësinore dhe urbanistike, si dhe për elaboratet e mbrojtjes nga zjarri, shpërthimet dhe materiet e rrezikshme, përmes sistemeve elektronike E-urbanizëm dhe E-qyteti.
Si ndodhi rasti
Sipas MPB-së, më 12 nëntor 2026 një qytetar shkoi në zyrat e DMS-së për të pyetur për ecurinë e lëndës së tij të dorëzuar në Komunën e Qendrës. Aty, i dyshuari i kërkoi para që ta nënshkruante dokumentin, edhe pse lënda kishte mangësi.
Të dy u takuan sërish më 17 nëntor dhe qytetari i dha paratë. Policia e ndaloi zyrtarin menjëherë pas kësaj. Ai tentoi të ikte, por u kap dhe u arrestua, ndërsa zarfi me paratë iu gjet dhe iu sekuestrua./makfax
Drejtori Angelov: rastin e raportoi vetë qytetari
Drejtori i DMS-së, Stojanqe Angelov, e përshëndeti aksionin e MPB-së dhe të Prokurorisë. Ai tregoi se disa ditë më parë qytetari i ishte ankuar se një këshilltar për planifikim urbanistik në DMS i kishte kërkuar 500 euro për mendimin pozitiv që i duhej për ndërtimin e një objekti. Angelov e udhëzoi qytetarin ta raportonte menjëherë rastin në Sektorin për Krim të Organizuar në MPB


