Profesori universitar Veland Ramadani ka theksuar rëndësinë e ndërmarrjeve të fuqishme për zhvillimin e ekonomisë, duke nënvizuar nevojën për bashkëpunim të ngushtë ndërmjet qeverisë dhe kompanive.
Duke folur në emisionin “Pas Numrave” në TVM2, Ramadani tha se zhvillimi i një ekonomie të fuqishme është i lidhur drejtpërdrejt me fuqinë e ndërmarrjeve që veprojnë në vend.
“Duhet ta kuptojmë se vetëm me ndërmarrje të fuqishme do të krijojmë ekonomi të fuqishme”, theksoi Ramadani.
Ai vlerësoi se modeli që duhet të ndjekë Maqedonia e Veriut dhe vendet e rajonit duhet të bazohet në një bashkëpunim shumë të ngushtë mes qeverisë dhe kompanive.
Sipas tij, krahas këtij bashkëpunimi, është e rëndësishme që të zbatohen politika që nxisin dhe zhvillojnë shpirtin ndërmarrës, duke krijuar kushte për rritjen dhe fuqizimin e bizneseve.


