Presim që të gjitha reformat që janë në periudhën e tolerancës deri në dhjetor të vitit 2026 të përfundojnë. Kështu deklaroi kryeministri Hristijan Mickovski. Në mbledhjen e djeshme në Qeveri, kushtuar zbatimit të Agjendës së Reformave, siç njoftoi Mickoski, u prezantua statusi i ligjeve në disa sektorë kyç.
Gjithashtu, u diskutua për aktivitetet aktuale, progresin e arritur dhe hapat e mëtejshëm për realizimin e reformave të parapara.
“Pres që në nivel teknik, deri në fund të këtij muaji, të sqarohen të gjitha çështjet, në mënyrë që në fillim të dhjetorit projektligjet të procedohen në Kuvend dhe deri në fund të muajit të miratohen. Bëhet fjalë për Ligjin për Nëpunësit Administrativë, i njohur si ‘ZNAS’, për të cilin kemi një ose dy çështje që po diskutohen me Komisionin Evropian. Më pas është ligji për të punësuarit në shërbimin publik, ku kemi një ose dy vërejtje, të cilat do t’i shqyrtojmë në nivel teknik gjatë kësaj jave. Projektligji i tretë ka të bëjë me Shërbimin e Lartë Drejtues, për të cilin gjithashtu kemi një ose dy vërejtje.” – tha Kryeministri i vendit, Hristijan Mickovski.
Përveç procesit të reformave, Mickovski foli edhe për sfidat ekonomike me të cilat përballet vendi, duke theksuar se rezultatet pozitive kërkojnë durim dhe konsolidim gradual të gjendjes.
Sipas tij, pas gati dy vitesh e gjysmë qeverisje, vendi ka arritur të dalë nga një situatë e thellë negative dhe të kthehet në pikën zero, ndërsa shprehu pritshmëri për rritje ekonomike dhe zhvillim më intensiv në periudhën e ardhshme.
“Të gjithë treguesit dëshmojnë atë që e kemi thënë që në fillim, se duhet durim dhe se gjërat duhet t’i konsolidojmë gradualisht. Ja, më në fund, pas gati dy vitesh e gjysmë, arritëm në pikën zero, ndërsa më parë ishim në një minus të thellë. Arritëm në pikën nga e cila duhet të nisë dikush që është në pushtet. Tani pres vetëm rritje, por kjo nuk varet gjithmonë vetëm nga ne, por edhe nga gjendja në botë. Shpresoj që shumë shpejt të mund të flasim për zhvillim më intensiv” – deklaroi Kryeministri Hristijan Mickovski.
I pyetur për ndryshimet në ligjin për prokurime publike, kryeministri Hristijan Mickoski pretendon se disa shoqëri avokatësh dhe kompani merren vesh qëllimisht për të dështuar procedurat e tenderimit, në mënyrë që më pas të përfitojnë financiarisht nga procedurat dhe ankesat.
Kryeministri i vendit këto komente i bëri gjatë inspektimit të punimeve ndërtimore në projektin për përmirësimin e sistemit të furnizimit me ujë në vendbanimin rural Kamenik, në Komunën e Kisella Vodës.


