Reforma në drejtësi po shënon përparim, por sistemi gjyqësor i Maqedonisë së Veriut vazhdon të përballet me sfida serioze që lidhen me pavarësinë e institucioneve, mungesën e burimeve dhe zbatimin e ligjeve. Megjithëse vlerëson përkushtimin e Qeverisë dhe institucioneve për ndryshime, shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadori Kilian Vall, paralajmëron se dy dokumente themelore për funksionimin e drejtësisë penale, Kodi i ri Penal dhe Ligji i ri për Procedurën Penale, ende presin miratimin. Sipas tij, reforma nuk mund të përfundojë vetëm me miratimin e ligjeve, por duhet të dëshmohet përmes institucioneve të pavarura, zbatimit të standardeve dhe rezultateve konkrete për qytetarët.
Në një intervistë për agjencinë shtetërore të lajmeve MIA, në përfundim të mandatit të tij katërvjeçar, ambasadori Vall ka vlerësuar se ekziston përparim në reformimin e gjyqësorit, megjithëse procesi mbetet kompleks dhe kërkon angazhim të vazhdueshëm. “Lajmi i mirë është se ka përparim. Reforma në gjyqësor është komplekse, por shoh përkushtim si nga Qeveria, ashtu edhe nga institucionet. Megjithatë, ende presim miratimin e një Kodi të ri Penal dhe të një Ligji të ri për Procedurën Penale. Jam i bindur se kjo do të ndodhë”, deklaroi Vall.
Ai theksoi se mbështetja e reformave në sundimin e ligjit mbetet ndër prioritetet kryesore të Misionit të OSBE-së, ndërsa e drejta penale është përfshirë në Strategjinë e Misionit për periudhën 2025–2027, të hartuar në konsultim me Qeverinë dhe institucionet e vendit. Sipas ambasadorit, reforma nuk nënkupton vetëm përgatitjen e legjislacionit të ri, por edhe përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të drejtësisë dhe organeve të zbatimit të ligjit, trajnimin e policëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve, si dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.
Vall vlerësoi se në sistemin gjyqësor ekzistojnë profesionistë të përkushtuar dhe njohuri të konsiderueshme, por problemi qëndron te kushtet në të cilat ata duhet të punojnë. “Gjatë katër viteve të mia këtu kam punuar me shumë gjyqtarë, prokurorë dhe profesionistë të përkushtuar të zbatimit të ligjit. Në këto institucione ka njohuri të konsiderueshme. Çështja është nëse kanë pavarësinë, burimet dhe kuadrin ligjor për ta kryer punën e tyre siç duhet”, deklaroi ambasadori. Ai nënvizoi se nga gjyqtarët, prokurorët dhe personeli gjyqësor duhet të kërkohen standardet më të larta të integritetit dhe profesionalizmit, por përgjegjësia nuk mund të kufizohet vetëm tek ata.
Sipas tij, llogaridhënia duhet të përfshijë edhe institucionet dhe autoritetet që kanë për detyrë të sigurojnë financimin, kushtet e punës dhe mbështetjen e nevojshme për funksionimin efikas të sistemit të drejtësisë.
Duke folur për rezultatet e angazhimit të Misionit, Vall përmendi mbështetjen për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet policisë dhe prokurorëve publikë. Sipas tij, ky bashkëpunim ka ndihmuar në përcaktimin e procedurave më të qarta për zhvillimin e hetimeve dhe mbledhjen e ligjshme të provave, me qëllim rritjen e efikasitetit të procedurave penale dhe mbrojtjen e të drejtave të personave të përfshirë. Në partneritet me Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë, OSBE ka organizuar trajnime në fusha të ndryshme të së drejtës dhe etikës profesionale, ndërsa ka mbështetur Ministrinë e Drejtësisë në përgatitjen e Kodit Penal, Ligjit për Procedurën Penale dhe legjislacionit tjetër që lidhet me gjyqësorin.
Ambasadori veçoi edhe disa rezultate konkrete të kësaj mbështetjeje. “Pajisëm pesë salla gjyqi me teknologji që ndihmon paraqitjen e provave dhe zvogëlon pengesat teknike gjatë procedurave”, theksoi ai. Gjithashtu, në bashkëpunim me Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, OSBE ka mbështetur hartimin e politikave të integritetit, të cilat, sipas Vall, deri në maj të këtij viti ishin miratuar zyrtarisht nga të gjitha gjykatat. Megjithatë, ai paralajmëroi se miratimi formal i këtyre dokumenteve nuk është i mjaftueshëm.
Shefi i Misionit të OSBE-së theksoi se politikat e integritetit duhet të ndikojnë konkretisht në mënyrën e emërimit të kuadrove, trajtimin e konflikteve të interesit dhe reagimin institucional ndaj shkeljeve. “Tani këto politika duhet të zbatohen. Ato duhet të udhëheqin emërimet, trajtimin e konfliktit të interesit dhe reagimin ndaj shkeljeve. E njëjta gjë vlen edhe për legjislacionin: miratimi i një ligji krijon detyrimin për ta bërë atë të funksionojë”, deklaroi Vall. Ai theksoi se reforma në gjyqësor është e pandashme nga qeverisja e mirë dhe ndërtimi i institucioneve të forta, të pavarura dhe transparente, të cilat japin llogari para qytetarëve. Sipas ambasadorit, përparimi kërkon qëndrueshmëri dhe vendosmëri edhe në situata kur vendimet institucionale janë të vështira ose politikisht të pafavorshme. Vall ritheksoi se OSBE do të vazhdojë të mbështesë proceset reformuese, por përgjegjësia kryesore për realizimin e tyre u takon institucioneve vendore. “Ne do të vazhdojmë ta mbështesim këtë përpjekje, por institucionet e vendit duhet ta udhëheqin atë. Besimi publik do të vijë kur njerëzit të shohin rezultate të drejta dhe të qëndrueshme”, përfundoi ambasadori Kilian Vall.


