Ka politikanë që dështojnë sepse historia është më e fortë se ata. Dhe ka politikanë që dështojnë sepse vetja është më e dobët se historia. Arben Taravari i përket kategorisë së dytë. Ai nuk është viktimë e sistemit. Ai është autori i vet i paaftë. Në çdo stacion ku ka ndalur — ministër, kryetar komune, kryetar partie, partner koalicioni, opozitar, ka lënë pas të njëjtën gjurmë – premtim të madh, ndarje të vogël, largim të shpejtë dhe faj te të tjerët, shkruan PressOnline.al
Ky nuk është opinion i nxituar. Është bilanc. Dhe bilanci, kur lexohet kronologjikisht, nuk lë vend për alibi.
1. Njeriu që e përgjysmoi partinë e vet
Kjo është pika nga ku duhet të fillojë çdo analizë serioze për Taravarin, sepse është e paprecedentë edhe për standardet ballkanike të cinizmit politik.
Siç e pranoi vetë në intervistën për Slloboden Peçat: “A keni dëgjuar diku në botë që një kryetar partie ta thyejë ose ta përgjysmojë partinë? Nuk ka rast të tillë.”
Pikërisht këtë bëri ai. Në vitin 2024, si kryetar i Aleancës për Shqiptarët, ai nuk e udhëhoqi partinë — ai e çau atë. Njëri krah shkoi me të te VLEN, tjetri mbeti me Ziadin Selën te Fronti Europian / BDI.
Kjo nuk është “parim”, siç pretendon ai. Parimi nuk e përgjysmon subjektin që të është besuar. Parimi e mban subjektin edhe kur është e vështirë. Ajo që bëri Taravari ishte transferim i krizës së tij personale të lidershipit në krizë kolektive të partisë. Ai nuk diti ta fitojë debatin brenda ASH-së, prandaj e shkatërroi terrenin e debatit.
Një lider që nuk mund ta mbajë të bashkuar as partinë e vet, si mund të pretendojë se do ta bashkojë bllokun shqiptar, apo – siç thotë tani se do të ndërtojë një “pakt të ri” kombëtar? Kjo është kontradikta e parë themelore, retorika e unitetit nga njeriu i ndarjes.
Gazetaria politike e njeh mirë këtë tip, lideri që flet për bashkim vetëm pasi ka prodhuar përçarje. Sepse bashkimi, për të, nuk është projekt, është slogan për ciklin tjetër zgjedhor.
2. Gostivari: laboratori i parë i dështimit
Para se të bëhej “analist” i dështimit të të tjerëve, Taravari ishte kryetar i Gostivarit nga 2017 deri në 2024. Dhe bilanci aty është shumë më zbulues se çdo fjalim.
Në Gostivar u dokumentuan:
Ndërtim jashtë planit urbanistik pranë stacionit të zjarrfikësve, ku sipas Komisionit Antikorrupsion, për më shumë se tre vjet ishte konstatuar se objekti devijonte nga PDU, por kryetari Taravari dhe inspektori ndërtimor i komunës nuk kishin bërë asgjë për ta ndalur ndërtimin.
Heqja e kompetencave në arsim — Ministria e Arsimit ia hoqi dy herë Taravarit kompetencat për emërimin dhe shkarkimin e drejtorëve të shkollave, me arsyetimin se bënte shkelje të rregullave dhe procedurave. Një kryetar komune që nuk arrin ta menaxhojë as arsimin fillor në qytetin e vet, nuk mund të pretendojë se është reformator shtetëror.
Ky është modeli taravarian. Kur institucionet nuk i binden, ai nuk korrigjohet, ai ankohet. Kur kompetencat i merren për shkelje, ai nuk merr përgjegjësi, ai e paraqet veten si viktimë të “sistemit”.
Në gazetari, kjo quhet përmbysje e raportit shkak-pasojë, dështimi administrativ paraqitet si persekutim politik. Dhe publiku, i lodhur nga premtimet, shpesh e blen këtë version, të paktën për një cikël.
3. VLEN: projekti që ai e quajti “të mrekullueshëm” dhe pastaj e quajti “tentativë të dështuar”
Në qershor 2025, vetë Taravari tha për Slloboden Peçat se VLEN, nga një “projekt i mrekullueshëm”, u kthye shpejt në një “tentativë të dështuar”. Ai kishte qenë pjesë e Qeverisë për 11 muaj.
Por pyetja gazetareske që ai nuk e shtron kurrë është: Pse dështoi?
Në intervistën e fundit për të njëjtën gazetë, ai e pranon se kur hynë në Qeveri si VLEN kishin një marrëveshje me katër pika: integrim europian, zhvillim ekonomik, luftë kundër korrupsionit dhe krimit, dhe decentralizim fiskal.
Dhe pastaj e pranon vetë bilancin:
Për integrimin europian: “nëse krahasohemi me 2024, tani jemi shumë më larg.”
Për korrupsionin: “nuk ka asgjë aty, absolutisht asgjë.”
Për decentralizimin: “nuk është se nuk flitet për decentralizim fiskal, por është më i centralizuar. Tani projektet për komunat i shqyrton dhe i miraton Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.”
Këtu qëndron hipokrizia strukturore e Taravarit. Ai ishte bashkautor i atij dështimi. Ai nuk ishte vëzhgues nga jashtë. Ai ishte ministër i Shëndetësisë në atë Qeveri. Ai ishte një nga fytyrat e VLEN-it në fushatë. Ai e kishte nënshkruar atë marrëveshje me katër pika.
Nuk mund të jesh njëkohësisht edhe arkitekt, edhe kritik i rrënojës. Ose ke qenë pjesë e projektit dhe mban përgjegjësi për të, ose ke qenë i paaftë ta korrigjosh nga brenda – në të dy rastet, je i dështuar.
Dhe më e rënda, ai e përshkruan VLEN-in si “shoqëri aksionare”, si “konglomerat prej pesë-gjashtë partish të ndryshme”. Por kush e ndërtoi atë konglomerat? Kush e pranoi atë formulë? Kush fitoi vota me atë formulë në 2024, pastaj e braktisi kur formula nuk i dha më pushtet personal?
Ky është dallimi mes një politikani dhe një oportunisti, politikani e reformon projektin nga brenda, oportunisti e shpall projektin “të dështuar” në momentin kur projekti nuk e reformon dot karrierën e tij.
4. Banka shqiptare dhe ligji për përfaqësim të drejtë: dy simbolet e mashtrimit
Taravari vetë e ka përdorur si argumentin më të fortë kundër VLEN-it faktin se në 2024 kishin premtuar bankën shqiptare, ndërsa u hap AltaBanka e Serbisë. Ky është fakt politikisht i vërtetë dhe moralisht i rëndë.
Por ai harron një detaj, kur u premtua ajo bankë, ai ishte në ballë të premtimit. Kur banka nuk u bë, ai ishte në Qeveri. Kur AltaBanka u hap, ai ende ishte ministër.
E njëjta logjikë vlen për ligjin për përfaqësim të drejtë. Në intervistën për Slloboden Peçat, ai thotë se ligji që po debatohet tani në Kuvend është “katastrofik”, sepse “nuk parashikon fare përfaqësim të drejtë”, dhe se “nuk është ai që e kemi iniciuar dhe përgatitur si draft kur ishim në Qeveri”, shkruan PressOnline.al
Nëse drafti i tyre ishte aq i mirë, pse nuk e miratuan kur ishin në Qeveri? Pse e lanë ligjin më të rëndësishëm për shqiptarët në nivel drafti, ndërsa veten e lanë në nivel ministri? Një ligj që mbetet draft është njësoj si një premtim që mbetet fjalim, i pavlerë.
Dhe paralajmërimi i tij se “nëse e hoqëm balancuesin sepse po keqpërdorej, ky ligj mund të keqpërdoret edhe më shumë” tingëllon më shumë si autopsi e paaftësisë së vet sesa si kritikë ndaj të tjerëve.
Ku janë dokumentet? Ku është drafti? Ku është procesverbali ku Taravari ka luftuar për atë draft deri në fund? Sepse në politikë, pa dokument, kritika është vetëm kujtesë selektive.
5. Kthimi te BDI: mohimi i vetvetes si doktrinë politike
Në vitin 2024, Taravari thoshte me krenari në Slloboden Peçat:
“Jam shumë krenar që në 2024 e lamë Qeverinë, dhe BDI shkoi në opozitë. Kjo duhej të ndodhte. Shqiptarët, Maqedonia, shteti kishin nevojë që BDI të shkonte në opozitë dhe të reformohej.”
Sot, i njëjti njeri garon në zgjedhjet lokale me BDI-në, në kuadër të AKI-së, me kandidatë të përbashkët dhe lista të përbashkëta.
Kjo nuk është “evolucion politik”. Evolucioni ka logjikë, ka argument, ka proces. Kjo është mohim i vetvetes pa shpjegim.
Nëse BDI duhej të shkonte në opozitë në 2024 sepse ishte pengesë për reformën, çfarë ka ndryshuar në 2025 që e bën BDI-në partnere të pranueshme? A u reformua BDI për një vit? A ndryshoi Ali Ahmeti? Apo ndryshoi vetëm nevoja e Taravarit për një strehë politike pasi u largua nga VLEN-i?
Izet Mexhiti e formuloi këtë me brutalitetin që e meriton rasti, kur pas daljes së Taravarit nga Qeveria shkroi në Facebook:
“Ti nuk e solle ndryshimin. Ti nuk po kthehesh te populli. Ti po kthehesh te lista e zezë. Ti nuk po e lë Qeverinë. Ti e tradhtove Qeverinë.” Dhe: “Taravari është zhgënjim për çdo shqiptar që votoi për ndryshimin.”
Mund të mos pajtohesh me Mexhitin për shumë gjëra. Por në këtë diagnozë, ai ka të drejtë strukturore: Taravari nuk u kthye te populli. Ai u kthye te i njëjti subjekt që vetë e kishte shpallur si problem. Ky nuk është kthim, është kapitullim.
6. Politikani nomad
Taravari është kthyer në arketipin e politikanit nomad shqiptar në Maqedoninë e Veriut:
Me LSDM-në dhe BDI-në — pastaj i la.
Me VLEN-in — pastaj e la.
Me BDI-në — pasi e kishte shpallur si të nevojshme për opozitë.
Në çdo rast, narrativi është i njëjtë: “Unë parimor, të tjerët të korruptuar. Unë i largohem pushtetit, të tjerët e duan pushtetin.” Por siç e tha vetë në Slloboden Peçat, ai mendon se është e lehtë “të vraposh për të hyrë në Qeveri”, ndërsa vendimet e tij ishin të vështira sepse ai “po largohej nga Qeveritë, jo anasjelltas”.
Ky është vetëmashtrimi i tij më i madh. Largimi nga Qeveria nuk është në vetvete virtyt. Edhe dezertori largohet nga fronti. Virtyt është të qëndrosh, të luftosh, të ndërtosh, të marrësh përgjegjësi për dështimin dhe ta korrigjosh atë.(PressOnline.al)


