Presidenti i Paraguait, Santiago Pena, është shkarkuar nga detyra dhe është vendosur në arrest shtëpiak, pas një krize të shkaktuar nga kolapsi i një banke, që la më shumë se gjysmën e popullsisë së vendit pa qasje në llogaritë e tyre bankare.
Siç raporton BBC, Pena u arrestua të premten, vetëm pak minuta pasi ligjvënësit, përfshirë edhe anëtarë të partisë së tij, votuan njëzëri për shkarkimin e tij nga detyra. Vendimi erdhi pas kolapsit, në fillim të kësaj jave, të bankës “Ueno”, e cila kishte lidhje me interesat e tij private të biznesit.
Një ditë më parë, Pena kishte ofruar të jepte dorëheqje. Megjithatë, në vend që ta pranonin atë, senatorët votuan për shkarkimin e tij dhe ngritën akuza për keqpërdorim të detyrës. Si pasojë, atij iu hoq imuniteti që zakonisht u garantohet ish-presidentëve.
Pena, i cili deri vitin e kaluar zotëronte aksione në kompaninë që kishte në pronësi bankën, ka mohuar çdo shkelje.
Në akuzat që çuan në shkarkimin e tij pretendohet se ai kishte qenë në konflikt interesi, kishte manipuluar mbikëqyrjen rregullatore, kishte devijuar fondet pensionale dhe kishte marrë pjesë në një përpjekje institucionale për të fshehur rastin, ku ishte përfshirë edhe banka qendrore.
Ai pritet të merret në pyetje të shtunën lidhur me dyshimet për shkelje të besimit, ushtrim të ndikimit të paligjshëm dhe përvetësim të fondeve, bëri të ditur prokurorja Silvia Margarita Gonzalez Vester.
Zëvendëspresidenti i tij, Pedro Alliana, është betuar si president i ri i përkohshëm, duke premtuar se nuk do t’i “braktisë” miliona njerëzit e prekur nga skandali.
“Bashkëqytetarët tanë, të cilët po kalojnë një periudhë të vështirë si pasojë e kolapsit financiar, do të kompensohen plotësisht”, deklaroi Alliana, i cili do të qëndrojë në këtë detyrë deri në vitin 2028.
Rënia e bankës digjitale, pas marrjes së saj nën kontroll nga banka qendrore e Paraguait, bëri që më shumë se gjysma e popullsisë të mbetej pa qasje në kursimet e veta.
Të martën dhe të mërkurën, radhë të gjata qytetarësh që tentonin të tërhiqnin paratë nga degët e bankës “Ueno” u krijuan në rrugët e kryeqytetit Asuncion.
Vlerësohet se rreth tre milionë depozitues ende nuk mund të kenë qasje në kursimet dhe pensionet e tyre. Kjo ka nxitur zemërim të madh publik, veçanërisht në kryeqytet.
Si kundërpërgjigje, protesta shpërthyen në pjesë të ndryshme të vendit. Mijëra qytetarë dolën të enjten në rrugë për të kërkuar kthimin e parave të tyre.
Në protestat e mëhershme pati edhe përleshje me policinë, e cila përdori gaz lotsjellës dhe topa uji kundër turmës.
Shkarkimi i Penas u miratua me 44 vota pro nga gjithsej 45 senatorë, ndërsa një ligjvënës mungoi në seancë.
“Nuk ka qenë kurrë qëllimi im ta tradhtoj besimin që më keni dhënë”, deklaroi Pena në një video të publikuar në platformën X, përmes së cilës njoftoi dorëheqjen. Ai shtoi se përparësi për të ishte “qetësia shpirtërore e qytetarëve të Paraguait, të cilët ua besuan kursimet e tyre sistemit tonë financiar”.
Pas votimit, kryetari i Senatit, Basilio Nunez, tha se Pena ishte shpallur fajtor për “neglizhencë në përmbushjen e detyrave”.


