Mbledhja e fundit e Komisionit të Përbashkët Multidisiplinar për Çështjet Historike dhe Arsimore mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, e mbajtur më 5 dhe 6 nëntor në Shkup, ka përfunduar pa rezultate konkrete.
Sipas përfaqësuesve bullgarë, diskutimet për paraqitjen e Kryepeshkopatës së Ohrit në tekstet shkollore të historisë në Maqedoninë e Veriut nuk kanë sjellë përparim.
Pala bullgare ka propozuar sërish nderimin e veprës së Damjan Gruevit, duke e cilësuar atë si figurë simbolike të historisë së përbashkët. Sipas tyre, propozimi është injoruar nga anëtarët maqedonas të Komisionit.
Ndërkohë, pala maqedonase ka propozuar një tekst për përkujtimin e rezistencës kundër antisemitizmit, fashizmit dhe nacional-socializmit, iniciativë që është refuzuar nga pala bullgare.
Përfaqësuesit bullgarë kanë rikujtuar pritshmëritë e Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian për rezultate konkrete nga puna e Komisionit historik.
Edhe raporti i fundit i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut thekson se, pavarësisht katër takimeve të zhvilluara nga shtatori 2025 deri në mars 2026, nuk janë arritur rezultate konkrete.
Takimi i radhës është paraparë të mbahet në fillim të dhjetorit në Sofje./BTA

