Drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi, ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në takimin ministror të CESEC-ut në Zagreb, së bashku me ministren e Energjetikës, Sanja Bozhinovska, ku në fokus ishte ndërlidhja rajonale energjetike dhe siguria e furnizimit.
Latifi njoftoi se gjatë takimit janë prezantuar projektet strategjike të MEPSO-s për forcimin e rrjetit të transmetimit dhe rritjen e shkëmbimit të energjisë elektrike me vendet fqinje.
Ndër projektet kryesore janë ndërtimi i interkoneksionit 400 kV Manastir–Ohër–Elbasan dhe lidhja e planifikuar Tetovë–Prizren, si pjesë e zhvillimit të rrjetit 400 kV në pjesën perëndimore të vendit.
Sipas Latifit, këto projekte synojnë rritjen e kapaciteteve ndërkufitare dhe sigurimin e ndërlidhjes më të qëndrueshme energjetike me Shqipërinë dhe Kosovën.
Ai bëri të ditur se është prezantuar edhe investimi në një reaktor prej 150 MVAr në nënstacionin e Dubrovës, i cili do të mundësojë kontroll më të mirë të tensionit dhe stabilitet më të madh të sistemit elektroenergjetik.
Latifi theksoi gjithashtu rëndësinë e interkoneksionit të ri të planifikuar me Bullgarinë dhe rritjes së kapaciteteve të transmetimit drejt Greqisë.
“Këto investime nënkuptojnë përgjegjësi konkrete: të ndërtojmë një rrjet që do t’u përgjigjet nevojave të qytetarëve dhe ekonomisë dhe do të kontribuojë në furnizim më të sigurt me energji elektrike”, ka shkruar Latifi.


