Cristiano Ronaldo nuk do të jetë i pranishëm në përballjen e Al Nassr ndaj Pakhtakor, e vlefshme për AFC Champions League, që do të zhvillohet të hënën në Tashkent të Uzbekistanit.
Mungesa e yllit portugez vjen në një kohë kur situata e sigurisë në Lindjen e Mesme ka ngritur shqetësime për zhvillimin normal të kompeticioneve aziatike.
Trajneri i Al Nassr, Ange Postecoglou, ish-tekniku i Tottenhamit, bëri të ditur se Ronaldo, Kingsley Coman dhe Mohamed Simakan nuk do të udhëtojnë për këtë takim. Sipas tij, vendimi lidhet me ngarkesën e ndeshjeve dhe udhëtimet e shumta që kanë përballuar lojtarët.
Megjithatë, mungesa e Ronaldos vjen pas një tjetër situate të ngjashme javën e kaluar, kur Al-Wasl nga Emiratet e Bashkuara Arabe refuzoi të udhëtonte drejt Riadit për ndeshjen e Champions League, duke detyruar shtyrjen e saj. Edhe një takim i mëparshëm në shtëpi i Al Nassr në muajin tetor ishte vonuar me një orë, pas raportimeve për sulme me raketa nga rebelët Huthi në Jemen.
LEXO EDHE: Ronaldo fiton çmimin “B.O.A.T.” për herë të parë, ‘kunja’ për Messin: Futbolli u përket fansave
Ndërkohë, Al Nassr nuk po kalon një fillim të mirë në kompeticionin kontinental. Skuadra saudite renditet në vendin e nëntë në grupin e zonës perëndimore, duke qenë aktualisht përfaqësuesja më e dobët mes pesë klubeve saudite pjesëmarrëse në turne. Për të siguruar një vend në fazën me eliminim direkt, ekipi duhet të përfundojë në tetë vendet e para.
Nga ana tjetër, Ronaldo vjen pas një paraqitjeje të shkëlqyer në kampionat, ku realizoi një tregolësh javën e kaluar. Sulmuesi portugez ka arritur në kuotën e 985 golave në karrierën e tij me klubet dhe kombëtaren, duke iu afruar gjithnjë e më shumë objektivit të 1000 realizimeve.
LEXO EDHE: Champions League rikthehet në Top Channel, Porto-Napoli drejtpërdrejt dhe falas për të gjithë shqiptarët!


