Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka dhënë detaje lidhur me planifikimin buxhetor për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 dhe projektin e Unazës së Prishtinës, pas mbledhjes së Qeverisë, ku u votua Projektligji për Buxhetin e vitit 2027, raporton Ekonomia Online.
Duke folur para mediave, Murati ka bërë të ditur se për projektet që lidhen me Lojërat Mesdhetare është krijuar një kod i përbashkët në kuadër të investimeve kapitale, me qëllim që investimet të jenë në përputhje me masterplanin dhe librin e konkurrimit.
Ai ka shpjeguar se projektet kryesisht janë identifikuar, por se për përcaktimin e saktë të kostos së tyre nevojiten studime më të detajuara. Sipas tij, ndarja e mjeteve për projektet specifike do të bëhet gjatë procesit, përmes vendimeve të Qeverisë.
“Sa i përket Lojërave Mesdhetare 2030 ka projekte të ndryshme, megjithatë, ajo çfarë kemi bërë, në mënyrë që të jemi në linjë edhe me masterplanin, por edhe me librin e konkurrimit, jemi siguruar që të ketë një kod të përbashkët dhe pastaj gjatë rrugës teksa identifikohen projektet specifike dhe shumat e tyre të investimit, sepse projektet kryesisht janë të identifikuara, por që nevojiten studime të detajuara për të përcaktuar vlerën e investimit, atëherë bëhet edhe ndarja me vendim të Qeverisë, pra krijohet kodi i veçantë, nga ky kodi i përbashkët i Lojërave Mesdhetare. Pra, është një kod për Lojërat Mesdhetare tek investimet kapitale”, ka deklaruar Murati.
Ndërkaq, sa i përket projektit të Unazës së Prishtinës, ministri Murati ka thënë se fillimisht duhet të përmbyllen të gjitha studimet e nevojshme, në mënyrë që të përcaktohet kostoja e përgjithshme e realizimit të tij.
Ai ka theksuar se për detaje më të hollësishme rreth planeve, projektit dhe kostos së Unazës së Prishtinës duhet të prononcohet Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, e cila është përgjegjëse për këtë fushë.
“Sa i përket Unazës së Prishtinës, po besoj që edhe këtu nevojitet që të përmbyllen, pra, të gjitha studimet në mënyrë që të vihet kostoja totale, por, për më tepër, besoj që është Ministria e Lidhjes, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit që mund të japë më shumë detaje në raport me planet, projektin, por edhe koston e këtij projekti”, ka thënë Murati.


