Vendi është përballur me dy sulme kibernetike vitin e kaluar, por ka arritur të përballet me kërcënimet. Sfidë paraqet ajo se si të parandalohen sulmet e tilla që të mos e rrezikojnë sistemin energjetik, thonë autoritetet. Për këtë qëllim ato kanë hartuar dy dokumente: metodologjinë për formimin e një ekipi të posaçëm për reagim të shpejtë ndaj sulmeve kibernetike dhe vlerësimi i sigurisë në sektorin energjetik, të cilat do të mundësojnë zbulim më të shpejtë të sulmeve, shkëmbimin në kohë të informacioneve dhe koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve dhe kompanive energjetike.
“Siguria kibernetike drejtpërdrejt i prekë qytetarët, ekonominë dhe sigurinë tonë nacionale. Digjitalizimi na mundëson menaxhim më të mirë me rrjetet, shfrytëzim më të mirë me resurset dhe integrim më të madh të burimeve të ripërtëritshme. Me këto mundësi rritet edhe mundësia jonë që t’i mbrojmë sistemet nga kanosjet që mund të shkaktojnë ndërprerje reale dhe pasoja serioze.”, – deklaroi ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska.
“Sot nuk bëhet fjalë vetëm për prezantimin e rezultateve të këtij projekti të rëndësishëm, por edhe për një hap tjetër drejt forcimit tëqëndrueshmërisë së infrastrukturës kritike të Maqedonisë së Veriut, forcimit të kapaciteteve kombëtare kibernetike dhe përgatitjes për sfidat e së ardhmes gjithnjë e më të digjitalizuar.”, – theksoi Ana Çernishova nga UNDP-RMV.
Qëllimi afatgjatë është parandalimi i sulmeve kibernetike që mund të rrezikojnë furnizimin me energji elektrike dhe të shkaktojnë probleme për qytetarët dhe kompanitë. Në kohën e digjitalizimit të përshpejtuar, forcimi i sistemit të sigurisë kërkon një qasje të përbashkët.


