Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, i ka uruar Arkin Jahijit marrjen e detyrës së kryetarit të Komunës së Bërvenicës, duke i dëshiruar mandat të suksesshëm dhe të mbarë.
Në një postim në rrjetet sociale, Kasami ka theksuar se kryetari i ri duhet t’u qëndrojë besnik premtimeve parazgjedhore dhe të punojë për të gjithë qytetarët, pa dallim përkatësie partiake, fetare apo etnike.
“Qytetari ka gjithmonë të drejtë, pavarësisht motiveve me të cilat gjykojnë. Kjo duhet respektuar”, ka shkruar Kasami.
Ai ka theksuar gjithashtu se VLEN-i, si pjesë e koalicionit qeverisës, do të jetë pranë qytetarëve të Bërvenicës për të gjitha çështjet që janë në kompetencë të Qeverisë.
“Vazhdojmë me punë për të gjithë qytetarët pa dallim!”, ka përfunduar Kasami.


