Festës së madhe për titullin botëror të Andrea Kimi Antonellit mungoi një prej protagonistëve të Mercedes; rivali dhe njëkohësisht shoku i skuadrës së italianit, George Russell.
Britaniku që e mbylli garën në vendin e 6 duke parë që ëndrrat e titullit iu venitën përfundimisht, u largua nga paddock-u në Mexico City përpara festimeve që skuadra i dedikoi 20 vjeçarit Antonelli duke munguar edhe në takimin e detyrueshëm me median pas garës.
Një mungesë që flet për pakënaqësinë e pilotit që doli i humbur nga ky sezon me shumë pritshmëri për të, duke pritur fundin e një kampionati që e sheh në vendin e katërt në klasifikimin e pilotëve pas edhe Verstappen e Hamilton.
‘George bëri gjestin e bukur të sportivitetit teksa shkoi të përshëndesë Kimin dhe ta urojë atë pas garës-shpjegoi Toto Wolff pas festimeve për suksesin e Antonellit-edhe unë fola me të pas garës dhe e kuptoj se për një sportist ky është një moment katastrofik, shumë i vështirë për t’u pranuar’.
Të humbasësh një botëror kundrejt shokut tënd të skuadrës dhe të shohësh të gjithë skuadrën të festosh nuk është e lehtë.
‘Fakti që ai nuk dha deklarata në media apo u largua nga pista para festës, është mëse i kuptueshëm-vijoi Wolff-përkundrazi, do të habitesha po të qëndronte, se të pranosh të gjithë këtë nuk është e lehtë. Por ai do të kthehet më i fortë në pistë’.
Britaniku, që në videon pas garës u pa të ishte i turbulluar emocionalisht, do të kërkojë të marrë veten në kohë për fundjavën e ardhshme, në Brazil ku së bashku me Hamilton, Verstappen dhe Leclerc do të vijojë betejën për pozicionin e nënkampionit të botës dhe ku do të duhet të ndihmojë skuadrën e Mercedes që të fitojë titullin botëror për konstruktorë.


