Ministri i Financave, Petrit Malaj theksoi se një nga prioritetet kryesore mbetet mbështetja për moshën e tretë, ku një vend të veçantë zë dyfishimi i bonusit të pensionistëve nga 1 janari 2027. Komentet i bëri gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2027 në Komisionin e Ligjeve në Kuvend.
Malaj tha se nisma për rritjen e të ardhurave të pensionistëve do të vijojë edhe gjatë vitit të ardhshëm, duke e cilësuar “angazhim konkret për t’iu përgjigjur nevojave të kësaj shtrese”.
Gjithashtu, parashikohet afrimi i indeksimit të pensioneve në muajin prill, nga korriku që është aktualisht, me një fond shtesë prej 1.35 miliardë lekësh. Ndërkaq, dyfishimi i bonusit nga 1 janari 2027 do të ketë një kosto prej 20 miliardë lekësh në vit.
Në total, vetëm këto politika për pensionistët kapin vlerën e 24 miliardë lekëve ose rreth 250 milionë euro.
Një nga prioritetet tona kryesore mbetet mbështetja për moshën e tretë, ku pensionet zënë një vend të veçantë në projektbuxhetin 2027.
Nisma që synon rritjen e të ardhurave të pensionistëve do të vijojë edhe gjatë vitit 2027. Nuk është thjesht një zë në buxhet, por një angazhim për t’iu përgjigjur nevojave të kësaj shtrese.
Ne parashikojmë afrimin e indeksimit të pensioneve në muajin prill, nga korriku, me një fond shtesë prej 1.35 miliardë lekësh. Gjithashtu, nga 1 janari 2027 do të nisë dyfishimi i bonusit të pensionistëve, me një kosto prej 20 miliardë lekësh në vit.
Të dyja këto politika për vitin 2027 do të kushtojnë në total 24 miliardë lekë ose rreth 250 milionë euro.
Një tjetër masë që do të vijojë është kompensimi përmes DIVA-s, me zbritjen e shpenzimeve në vlerën 48 mijë lekë për qytetarët që kanë fëmijë nën 18 vjeç.
Fondet për strehimin social në vlerën e 3 miliardë lekëve
Këto masa, sipas ministrit, shprehin kujdesin social dhe synojnë më shumë mbështetje për familjet në nevojë, pensionistët dhe familjet me fëmijë.
Ministri i Financave tha se do të vijojë edhe skema për kompensimin e TVSH-së për fermerët, në vlerën e 3 miliardë lekëve për vitin 2027.
Investimet publike dhe arsimi
Shpenzimet kapitale në projektbuxhetin 2027 parashikohen në nivelin 6.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Investimet publike do të përqendrohen në projekte me vlerë mbi 2 miliardë euro, kryesisht në rrugë dhe infrastrukturë.
Edhe arsimi mbetet një tjetër sektor prioritar. Në total, fondi për arsimin arrin në 93.7 miliardë lekë, me rritje krahasuar me vitin e mëparshëm.
Për sektorin e arsimit për vitin 2027, sipas ministrit të Financave, Petrit Malaj, parashikohen:
1.1 miliardë lekë për rritjen e bursave për studentët;
400 milionë lekë për përmirësimin e infrastrukturës bazë;
500 milionë lekë për programin pas shkolle;
100 milionë lekë për kërkimin shkencor.


