Gazetari Benjamin Arifi ka komentuar fitoren e kandidatit shqiptar në zgjedhjet lokale në Bërvenicë, duke e cilësuar atë si të pritshme, duke pasur parasysh se shqiptarët përbëjnë rreth 60 për qind të popullsisë së kësaj komune.
Në një postim, Arifi thekson se shteti vazhdon të organizohet politikisht mbi baza etnike, ndërsa sipas tij, rezistenca e partive maqedonase ndaj të drejtave me karakter kombëtar shqiptar sjell reagim edhe më të madh nga ana e shqiptarëve.
Ai ka kritikuar edhe ata që, sipas tij, kanë pritur një rezultat ndryshe, duke përmendur si shembuj raste nga e kaluara, kur votat shqiptare kanë shkuar për kandidatë maqedonas, si dhe pretendimet e BDI-së se VLEN-i do të votonte kandidatin maqedonas para atij shqiptar.
Arifi këto raste i ka cilësuar si episode të turpshme dhe jo si norma të politikës shqiptare.
“Sa më e madhe rezistenca, aq më i madh reagimi. Kështu duhet të jetë dhe kështu do të jetë gjithmonë”, ka përfunduar Arifi reagimin e tij.


