Një dekadë leximi, diskutimesh, emocionesh dhe miqësish të ndërtuara përmes fjalës së shkruar. “Book Club” – Shkupi shënoi dhjetëvjetorin e themelimit, duke bërë bashkë gra nga qytete të ndryshme, intelektuale dhe dashamirëse të librit, në një jubile që dëshmoi rëndësinë e leximit dhe të kulturës së bashkëbisedimit.
Në ambientet e shkollës “Ismail Qemali” në Shkup u shënua 10-vjetori i themelimit të “Book Club” – Shkup, një nismë që nisi dhjetë vjet më parë si një ide për të afruar gratë përmes dashurisë ndaj librit dhe letërsisë, ndërsa me kalimin e viteve u shndërrua në një hapësirë të qëndrueshme leximi, reflektimi, shkëmbimi idesh dhe krijimi miqësish.
Gjatë aktivitetit, themelueset dhe anëtaret e klubit ndanë kujtime nga rrugëtimi dhjetëvjeçar, duke vënë në pah sfidat, përkushtimin dhe vlerat që kanë mundësuar vazhdimësinë e kësaj nisme.

Iniciatorja dhe themeluesja e klubit, prof. Afërdita Volina, rrëfeu për idenë e themelimit të tij, e cila lindi nga dëshira për të krijuar një hapësirë ku gratë do të bashkoheshin përmes leximit dhe kulturës. Ajo theksoi rëndësinë e angazhimit vullnetar, mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë si faktorë kyç për jetëgjatësinë e klubit.
“Ky është një grup që funksionon në mënyrën më të bukur të mundshme të organizimeve të këtij lloji, sepse pjesëmarrja është në baza vullnetare. Secila anëtare e grupit kontribuon për mirëqenien dhe jetëgjatësinë e tij në baza vullnetare. Diskutimet në klub, idetë e bukura dhe shprehja e ndjenjave që kemi përjetuar gjatë leximit të librit i japin frymë klubit dhe ia shtojnë jetëgjatësinë. E tërë kjo, kur përcillet me mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë, bën që klubi të frymojë lirshëm dhe me kapacitet të plotë, siç ndodh edhe tani. Lindëm nga një nismë e vogël në ambientet shtëpiake, për të arritur që takimet tona të mbahen nëpër biblioteka universitare. Kjo dëshmon për seriozitetin e klubit, por edhe për nivelin e profilit të anëtareve. Jemi krenare dhe urojmë që puna jonë të frymëzojë edhe klube të tjera”, u shpreh Volina për PressOnline.al

Bashkëthemeluesja Mërgime Ajdini solli kujtime dhe përjetime nga rrugëtimi dhjetëvjeçar i klubit, duke u ndalur te veprat që kanë shoqëruar këtë rrugëtim dhe te rëndësia e leximit si hapësirë bashkimi, reflektimi dhe miqësie mes grave.
Ajo rikujtoi takimin e parë të mbajtur më 16 qershor 2016, përkushtimin e anëtareve ndër vite, vazhdimësinë e aktiviteteve edhe gjatë pandemisë COVID-19, si dhe mbi 100 titujt e librave të trajtuar gjatë kësaj dekade.
“Më 16 qershor 2016, kur e bëmë takimin e parë, ishim entuziaste dhe as që e menduam se do të funksiononim për më shumë se 10 vjet. Por, duke respektuar planin vjetor dhe rregullat që i vendosëm për funksionimin e klubit, ia arritëm”, rrëfen Ajdini për PressOnline.al
Ajo thekson se as pandemia nuk arriti ta ndërpresë veprimtarinë e klubit, pasi takimet dhe diskutimet vazhduan edhe përmes platformave online.
“Asgjë nuk na ndaloi, as edhe vitet e zymta të COVID-it, kur nëpërmjet platformave online vazhdonim me moderimin e librave të planifikuar më parë. Dhe ja arritëm të festojmë 10 vjet leximi, shoqërimi dhe diskutimi të veprave të shkrimtarëve vendas dhe botërorë, nga klasikët deri te letërsia moderne”, shprehet ajo.
Duke folur për përzgjedhjen e librave, Ajdini nënvizon se një nga veçoritë e klubit është respektimi i shijeve dhe preferencave të ndryshme letrare të anëtareve.
“Përzgjedhjen e veprave e bëjmë duke respektuar shijen e të gjitha anëtareve dhe aty qëndron e bukura, sepse jemi të ndryshme në moshë dhe në preferenca letrare, por respekti i ndërsjellë na bën që të lexojmë vepra të autorëve që i propozojnë të gjitha anëtaret dhe që na pëlqejnë.
Deri tani kemi moderuar mbi 100 tituj, duke përfshirë trilogji ose disa libra të të njëjtit autor. Kemi pasur vitin e autoreve femra, vitin e nobelistëve, vitin e autorëve shqiptarë”, thekson bashkëthemeluesja.
Sipas saj, çdo libër ka një mesazh që ndihmon në zgjerimin e horizontit dhe në tejkalimin e paragjykimeve, ndërsa mënyra e organizimit të takimeve dhe angazhimi i të gjitha anëtareve kanë qenë faktorë të rëndësishëm për jetëgjatësinë e klubit.
“Çdo libër e ka porosinë e vet, e cila na e zgjeron diapazonin dhe na i largon paragjykimet. Dashuria për leximin dhe diskutimi në grup, përveç që na afron, na e bën edhe më të lehtë menaxhimin e takimeve. Anëtarja që e moderon librin e ka për obligim që të kujdeset për rrjedhën e takimit. Në këtë mënyrë, të gjitha anëtaret e kalojnë fazën e menaxhimit. Kjo është edhe njëra nga arsyet e jetëgjatësisë”, shprehet Ajdini.

Ajo ndalet edhe te rëndësia e ruajtjes së frymës së barazisë dhe respektit brenda grupit, duke theksuar se pjesëmarrja në klub kërkon përkushtim të vërtetë ndaj leximit.
“Është një e vërtetë: librin e do ose jo. Ato anëtare që mendonin të ishin në klub vetëm për shoqëri dhe jo për të lexuar, u distancuan vetë. E vërejtën se nuk e kanë vendin te grupi i grave të pasionuara pas leximit. Edhe personat dominues dhe konfliktuozë e kuptuan që nuk e kanë vendin te klubi, ku të gjitha jemi të barabarta, kështu që largoheshin vetë dhe pa bujë”, rrëfen ajo.
Duke folur për sfidat e punës në grup, Ajdini pranon se menaxhimi i një organizimi të tillë nuk është gjithmonë i lehtë, por thekson se qetësia dhe balancimi i kërkesave kanë ndihmuar në vazhdimin e misionit të tyre.
“Nuk është i lehtë menaxhimi, sepse puna në grup përballet me sfida të ndryshme, por ja që me qetësi dhe balancim të kërkesave arrihet të vazhdojë misioni ynë fisnik”, thekson Ajdini.
Ajo vë theksin te roli i leximit në familje dhe në edukimin e brezave të rinj, duke e cilësuar atë si një trashëgimi që përcillet nga nëna te fëmijët.
“Leximi është shumë i rëndësishëm, sidomos për femrat, sepse i largon paragjykimet dhe krijon vazhdimësi të leximit në familje. Leximi trashëgohet nga nëna te fëmijët dhe vazhdon te gjeneratat e reja pa ndërprerje. Disa libra që i kemi moderuar në klub ishin propozime të anëtareve, të sugjeruara nga nënat e tyre. Jemi të hapura për dashamirëset e fjalës së shkruar”, përfundon Ajdini.

Anëtarja e klubit, Zera Shaqiri, vuri në pah rëndësinë e leximit për zhvillimin e një shoqërie të shëndoshë, duke e cilësuar atë si një element jetik për formimin e mendimit kritik dhe krijimin e një opinioni të pavarur.
Duke iu referuar nobelistes Wislawa Szymborska dhe thënies së saj se “Leximi është loja më e bukur që ka shpikur mendja e njeriut”, Shaqiri theksoi rolin që klubet e librit kanë në nxitjen e debatit dhe të mendimit të pavarur.
“Mendoj se për një shoqëri të shëndoshë leximi është shumë i rëndësishëm, do të thoja jetik, sepse një shoqëri që lexon mendon. Një inspirim dhe stimul janë klubet e librit. Klubet ndihmojnë në krijimin e opinionit të pavarur, sepse nxisin leximin dhe, si rezultat i kësaj, zhvillojnë mendimin kritik. Përmes diskutimeve, anëtarët e klubit mësojnë të dëgjojnë argumentet dhe të formojnë bindjet e tyre pa u ndikuar verbërisht nga të tjerët”, u shpreh Shaqiri për PressOnline.al

Ndërkaq, anëtarja Besa Dërndar u ndal te fuqia e leximit në fuqizimin intelektual të gruas, ndërtimin e dinjitetit personal dhe zhvillimin e pavarësisë së saj. Duke iu referuar një citati të Maya Angelou, ajo theksoi se ngritja intelektuale dhe njohja e vlerave personale janë thelbësore për një shoqëri ku gratë janë të fuqizuara dhe të pavarura.
“Asgjë nuk mund ta shuajë dritën që shkëlqen nga brendia.” – Citat i Maya Angelou.
Drita e simbolizon esencën e vërtetë të një gruaje: bukurinë e saj të brendshme, dinjitetin personal, karakterin, shpresën dhe origjinalitetin thelbësor të gruas që e di vlerën e vet, potencialin dhe fuqinë që posedon. Mënyra për t’i përvetësuar këto pasuri është ngritja e saj intelektuale përmes leximit dhe sigurimi i pavarësisë së saj financiare.
Vetëm atëherë do të zhduken lajmet trishtuese për humbjen e dhunshme të jetës së grave. Klubi i librit është një nga mënyrat për mbështetjen dhe nxitjen e këtij dimensioni në shoqëri. Mund të mos e kemi arritur akoma qëllimin, por ju siguroj se jemi në rrugën e duhur”, theksoi Dërndar për PressOnline.al
Në shënimin e dekadës së parë të “Book Club” – Shkupi morën pjesë edhe gra të tjera intelektuale, si dhe mysafire nga Klubi i Librit “Struga”, duke e bërë këtë përvjetor një takim të veçantë të dashamirëseve të letërsisë dhe kulturës.
Dhjetë vjet pas themelimit, “Book Club” – Shkupi dëshmon se leximi nuk është vetëm një përvojë individuale, por edhe një mundësi për të ndërtuar ura komunikimi, për të nxitur mendimin kritik dhe për të krijuar lidhje të qëndrueshme mes grave. Një dekadë që nisi me një ide të vogël dhe u shndërrua në një traditë të bukur kulturore, me një mision që vazhdon: të afrojë njerëzit përmes librit dhe fuqisë së fjalës së shkruar. (PressOnline.al)


