Në konferencën e sotme të jashtëzakonshme për shtyp, guvernatorit Trajko Sllaveski foli lidhur me funksionimin e Alta Bankës në Maqedoni, përcjell TV21. Ai tha se deri dje, qytetarët kanë tërhequr rreth 2 milionë euro nga kjo bankë.
“Ata na informuan se deri në mabrimin e ditës së djeshme, në para të gatshme dhe transfere të tjera janë tërhequr rreth 2 milionë euro nga banka. Siç e dinë qytetarët, VISA qendra, për shkak të shumës, suspendoi përkohësisht punën me kartelat, ky shërbim u mundësua, u rivitalizua sot në ora 12 në mesditë”, tha mes tjerash Sllaveski.
Sllaveski njoftoi se qytetarët që kanë llogari në “Alta Banka” SHA Manastir, në periudhën e ardhshme do të mund të përdorin maksimumi 10.000 denarë në javë nga mjetet e tyre, përmes kartelave të pagesës të lëshuara nga banka, kjo vjen si masë e përkohshme.
“Me interes të qytetarëve dhe me qëllim të kryerjes së pagesave të përditshme, është përcaktuar një limit javor për tërheqjen e mjeteve nga llogaritë e personave fizikë, në vlerë prej 10.000 denarësh, i cili mund të shfrytëzohet përmes kartelave të lëshuara nga banka”, theksoi Sllaveski.
Vendimi vjen pas informacioneve për heqjen e licencës së punës “Alta Bankës” SHA Beograd dhe plotësimit të kushteve për nisjen e procedurës së falimentimit në Serbi.
Sllaveski bëri të ditur se Bordi Ekzekutiv i Bankës Popullore, në mbledhjen e mbajtur më 1 nëntor 2026, ka miratuar vendimin për vendosjen e administrimit të përkohshëm në “Alta Banka” SHA Manastir, i cili tashmë ka hyrë në fuqi.
Me këtë vendim, administrimi i pasurisë së bankës përkohësisht kalon në kompetencë të personave të emëruar nga Banka Popullore, të cilët do të veprojnë në kuadër të autorizimeve të dhëna. Ai nënvizoi se të gjitha pagesat e brendshme ndërmjet llogarive të personave fizikë dhe juridikë brenda bankës do të vazhdojnë të kryhen pa kufizim të shumës.
Sipas guvernatorit, “Alta Banka” SHA Manastir ka kapital dhe likuiditet të lartë, cilësi solide të portofolit të kredive dhe i përmbush të gjitha standardet mbikëqyrëse. Nga Banka Popullore sigurojnë se masat janë të karakterit të përkohshëm dhe po vendosen me qëllim të mbrojtjes së pasurisë së bankës dhe interesave të depozituesve. Njëkohësisht, guvernatori rikujtoi se qytetarët dhe kompanitë që kanë kredi në këtë bankë duhet të vazhdojnë t’i përmbushin rregullisht dhe me kohë detyrimet e tyre.


