Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar qeverinë për ngecjen e procesit të integrimit evropian, duke thënë se deklaratat për anëtarësim në Bashkimin Evropian nuk përputhen me realitetin e vlerësimeve të Komisionit Evropian për Kosovën.
Tahiri, përmes një reagimi, ka thënë se aplikimi i Kosovës për statusin e vendit kandidat, i paraqitur nga kjo qeveri, nuk ka marrë asnjë rrjedhë dhe nuk pritet të ketë zhvillim.
Ai ka theksuar se vlerësimet e përvitshme negative të Komisionit Evropian tregojnë për mungesë progresi në përmbushjen e kritereve për integrim evropian.
Tahiri ka përdorur edhe një krahasim për të ilustruar, sipas tij, mungesën e përmbushjes së kritereve evropiane, duke thënë se Kosova nuk mund të kërkojë anëtarësim në një klub, ndërkohë që çdo vit dështon t’i përmbushë kriteret e tij.
Ai e ka cilësuar këtë situatë si dështim të politikës shtetërore të integrimit, duke paralajmëruar se integrimi evropian rrezikon të mbetet vetëm slogan politik.
Në fund të reagimit, Tahiri ka dhënë një vlerësim të ashpër për qeverinë, duke thënë se me këtë qeverisje, Kosova duhet ta fshijë integrimin dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian si objektiv.


