Nga një fëmijëri e vështirë në Shqipëri, te ndërtimi i një karriere ndërkombëtare në industrinë e fitnesit dhe mirëqenies. Ky është rrugëtimi i Senada Grecës, trajneres shqiptare që ka fituar vëmendje ndërkombëtare dhe është bërë pjesë e rutinës së stërvitjes së yllit amerikan Kim Kardashian.
Në një intervistë për revistën Entrepreneur, Greca ka treguar se si sfidat e emigrimit, vështirësitë personale dhe vendosmëria për të ndryshuar jetën e saj u kthyen në shtysë për të krijuar bizneset e veta. Sot, ajo ka një komunitet me më shumë se 10 milionë ndjekës në rrjetet sociale dhe është themeluese e platformës së fitnesit WeRise dhe bashkëthemeluese e kompanisë së suplementeve Aonic.

Senada Greca u rrit në Shqipëri gjatë periudhës së komunizmit, kur familja e saj u përball me vështirësi ekonomike dhe mungesë të shumë gjërave bazë. Jeta e saj mori një kthesë të madhe kur, në moshën vetëm 14-vjeçare, emigroi drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Përshtatja me një vend, gjuhë dhe kulturë të panjohur nuk ishte e lehtë. Greca u përball me vështirësi në komunikim dhe me përgjegjësi të mëdha për moshën e saj, pasi ishte e vetmja në familje që fliste anglisht.

Ajo ka treguar se kjo periudhë ndikoi në gjendjen e saj emocionale, duke u shoqëruar me ankth, depresion dhe probleme në marrëdhënien me ushqimin.
Po kaloja nga mungesa e gjithçkaje në një vend ku kishte bollëk, ndërsa përgjegjësitë ndryshuan. Në moshën 14-vjeçare, isha e vetmja në familje që fliste anglisht dhe duhej të mbaja mbi supe shumë përgjegjësi
-ka rrëfyer ajo për Entrepreneur.
Pavarësisht vështirësive, Greca vazhdoi arsimimin dhe përfundoi studimet në fushën e biznesit. Ajo ndërtoi fillimisht një karrierë në financë dhe shitje, por me kalimin e kohës kuptoi se kjo nuk ishte fusha ku dëshironte të përqendronte jetën e saj.

Aktiviteti fizik u bë një pjesë e rëndësishme e procesit të saj personal të rimëkëmbjes. Gradualisht, ajo ndryshoi mënyrën se si e shihte fitnesin: jo thjesht si një mënyrë për të humbur peshë, por si një mjet për të ndërtuar forcë, vetëbesim dhe një marrëdhënie më të shëndetshme me trupin.
Në vitin 2019, nisi të publikonte në rrjetet sociale video me ushtrime dhe këshilla stërvitjeje. Interesi i publikut u rrit dhe, në vitin 2020, ajo ndërmori hapin për të krijuar biznesin e saj, duke lënë më pas karrierën tradicionale në sektorin korporativ.
Puna e saj në rrjetet sociale dhe metodat e stërvitjes tërhoqën vëmendjen e Kim Kardashianit, e cila e zgjodhi Grecën si trajnere personale.
Sipas Grecës, Kardashian u impresionua nga disiplina, historia personale dhe puna që ajo kishte ndërtuar ndër vite. Bashkëpunimi me një prej figurave më të njohura të showbiz-it amerikan i dha trajneres shqiptare një ekspozim edhe më të madh ndërkombëtar.
Megjithatë, Greca ka theksuar se metodat që përdor me Kardashianin janë të njëjtat që ndan edhe me përdorueset e platformës së saj të fitnesit. Për të, qëllimi nuk është vetëm transformimi fizik, por edhe krijimi i zakoneve të qëndrueshme dhe forcimi i vetëbesimit.
Në një intervistë të mëparshme për Telegrafin, ajo kishte treguar se pasioni për sportin e kishte shoqëruar që në fëmijëri dhe se puna e vazhdueshme, sakrificat dhe këmbëngulja kishin qenë thelbësore për suksesin e saj.
Një nga projektet kryesore të Grecës është WeRise, një platformë që ofron programe stërvitjeje, udhëzime për ushqyerjen dhe mbështetje për njerëzit që duan të përmirësojnë mirëqenien e tyre.
Përmes këtij projekti, ajo synon të ndihmojë veçanërisht gratë të ndërtojnë forcë fizike dhe vetëbesim, pa e kufizuar suksesin te pamja e jashtme apo numrat në peshore.
Filozofia e saj mbështetet te disiplina dhe vazhdimësia. Sipas Grecës, motivimi mund të ndryshojë nga dita në ditë, ndërsa zakonet e krijuara me këmbëngulje janë ato që ndihmojnë në arritjen e objektivave afatgjata.
Sipërmarrja e saj është zgjeruar edhe me Aonic, një kompani suplementesh që synon të ofrojë produkte të orientuara nga shkenca dhe informacion më të qartë për konsumatorët.
Greca ka shpjeguar se dëshiron të kontribuojë në ndryshimin e mënyrës se si perceptohet tregu i suplementeve, duke synuar më shumë transparencë dhe çmime më të përballueshme. Ajo sheh gjithashtu potencial te inteligjenca artificiale për të optimizuar proceset e biznesit dhe për të ulur kostot.
Për të, suksesi nuk matet vetëm me famën apo numrin e klientëve të njohur, por edhe me aftësinë për të ndërtuar kompani që mund të rriten dhe të ndihmojnë një publik më të gjerë.
Historia e Senada Grecës është një shembull i rrugëtimit nga emigrimi dhe vështirësitë personale drejt sipërmarrjes ndërkombëtare.
Nga vajza që u largua nga Shqipëria në moshën 14-vjeçare, ajo është kthyer në një emër të njohur në industrinë e fitnesit, duke e shndërruar përvojën e saj personale në një projekt që synon të ndikojë te mirëqenia e të tjerëve.


