Anita Haradinaj, bashkëshortja e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, ka reaguar me forcë ndaj deklaratave të fundit të deputetes Arjeta Fejza, të cilat i konsideron si një sulm të rëndë ndaj dinjitetit të saj dhe reputacionit të familjes.
Ajo i ka bërë thirrje Fejzës që të tërheqë deklaratën e saj, të distancohet nga akuzat dhe të kërkojë falje publike për shpifjet që ka bërë.
Haradinaj ka theksuar se në rast se nuk ka një reagim të duhur dhe kërkimfalje, do të detyrohet të kërkojë ndihmën e organeve ligjore për të mbrojtur dinjitetin e saj.
“SHPIFJET NUK KALOJNE!” – ka shkruar Haradinaj, duke theksuar se përgjegjësia për fjalën publike është një detyrim i çdo individi në jetën publike.
Ajo ka shprehur se si një gazetare dhe një person që ka qenë pjesë e jetës publike për shumë vite, e kupton rëndësinë e diferencës mes debatit politik dhe akuzave të pabazuara që dëmtojnë reputacionin e individëve.
Haradinaj ka theksuar se deklaratat e Fejzës janë serioze dhe kërkojnë trajtim të përgjegjshëm, duke shtuar se askush nuk duhet të ndjehet mbi standardet e përgjegjësisë publike.
Ajo ka shprehur se nuk dëshiron të angazhohet në një përplasje personale, por nuk do të hesht përballë akuzave që cënojnë figurën e saj dhe të familjes.
“Kur akuzat prekin figurën dhe familjen, kam të drejtë të kërkoj që faktet të respektohen dhe çdo pretendim të mbështetet në prova, jo në insinuata,” ka thënë Haradinaj, duke kërkuar një reagim të menjëhershëm nga deputetja.
“Nëse nuk ka një reagim të përshtatshëm dhe një kërkim falje, do të detyrohem të ndjek rrugët ligjore për të mbrojtur dinjitetin tim dhe të familjes sime,” përfundoi ajo, duke theksuar se dinjiteti dhe reputacioni nuk duhet të bëhen viktima të interesave politike.


