Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, u ka bërë thirrje bizneseve dhe investitorëve gjermanë që të shfrytëzojnë mundësitë për investime në sektorin e energjisë në Kosovë, përfshirë energjinë e ripërtëritshme dhe sistemet e ngrohjes me efiçiencë të energjisë.
Këto deklarata ajo i bëri në edicionin e tretë të Forumit Ekonomik Gjermano-Kosovar, i cili po mbahet në Prishtinë nën moton “Driving the Next Economy”, organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK).
Në fjalën e saj, Rizvanolli theksoi rëndësinë e forcimit të partneritetit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, duke vënë në pah mundësitë për rritjen e investimeve dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve të të dyja vendeve.
Ajo rikujtoi se Gjermania ka qenë përkrah Kosovës që nga lufta për liri dhe pavarësi, në ndërtimin e institucioneve, zhvillimin ekonomik dhe avancimin e perspektivës evropiane të vendit.
Ministrja shprehu pritshmërinë që kjo marrëdhënie të forcohet edhe më tej përmes investimeve konkrete.
Rizvanolli tha se sektori i energjisë ofron mundësi të veçanta për investitorët gjermanë, veçanërisht përmes ankandeve konkurruese për investime private dhe zhvillimit të kapaciteteve për ruajtjen e energjisë.
Ajo theksoi se bashkëpunimi nuk duhet të kufizohet vetëm në financimin e projekteve, por të përfshijë edhe ndërtimin, furnizimin me pajisje, si dhe operimin dhe mirëmbajtjen e tyre.
Në këtë drejtim, ministrja i ftoi bizneset dhe investitorët gjermanë që të përgatiten për ankandet e ardhshme të energjisë së ripërtëritshme dhe të shqyrtojnë mundësitë e partneritetit me kompanitë vendore.
Po ashtu, ajo vuri në pah potencialin për investime në sistemet e ngrohjes me efiçiencë të energjisë.
Sipas Rizvanollit, synimi është që partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë të konkretizohet përmes projekteve të suksesshme, të cilat do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit.


