Gjashtëdhjetë vite jetë, një karrierë e gjatë në futboll dhe një mbrëmje e mbushur me emocione, miq e kujtime.
Ilir Daja festoi ditëlindjen e tij të 60-të në një atmosferë të veçantë, mes futbollistëve, stafit teknik e drejtues të Dinamo City-t, drejtuesve të akademisë, presidentit të klubit, miqve të Dinamos dhe disa prej legjendave të futbollit shqiptar, që kishin zgjedhur të ishin pranë tij në këtë ditë të rëndësishme.
Në këtë festë, mes përqafimeve dhe urimeve, vëmendjen e mori edhe një moment familjar: ai me të birin, Glenin. Babë e bir kanë ndarë jo vetëm jetën familjare, por edhe përvojën profesionale në futboll. Gleni ka qenë ndihmëstrajner i Ilir Dajës fillimisht te Ballkani e më pas te Dinamo City, duke punuar përkrah tij në pankinë.
Por kjo rrugë e përbashkët do të marrë një tjetër drejtim që nga fundjava e ardhshme. Glen Daja do të marrë drejtimin e Elbasanit dhe, për herë të parë, babai dhe djali do të gjenden në anë të kundërta, si kundërshtarë në kampionat. Përqafimi i mbrëmjes së ditëlindjes merr kështu një domethënie të veçantë: një moment i fundit në një atmosferë miqësore, përpara se futbolli t’i vendosë përballë në garë.
Festa e Dinamo City-t vjen në një moment jo të lehtë për skuadrën kryeqytetase, që pason dy humbje radhazi në kampionat. Megjithatë, për një mbrëmje, rezultatet dhe presioni i garës mbetën jashtë vëmendjes, duke i lënë vendin një feste në nder të trajnerit që është pjesë e rëndësishme e historisë së klubit.
Mes të ftuarve kishte edhe gazetarë, por jo shumë. Me humorin që e karakterizon, vetë Ilir Daja ka pranuar se miqësitë me gazetarët nuk janë të shumta, pasi, siç shprehet ai, përplasjet në debate janë të shpeshta.

Një 60-vjetor mes njerëzve të futbollit, kujtimeve dhe emocioneve, por edhe me një simbolikë të veçantë për familjen Daja. Sepse, pas shumë ditësh të kaluara krah për krah në të njëjtën pankinë, babai dhe djali do të provojnë një sfidë të re: të jenë rivalë në fushë, pa pushuar së qeni familje jashtë saj.


