Një problem teknik në rrjetin e transmetimit të të dhënave të ENAV-it, autoritetit italian përgjegjës për kontrollin e trafikut ajror, ka shkaktuar ndërprerje dhe vonesa në fluturimet në të gjithë Italinë. Autoritetet kanë vendosur kufizime të përkohshme në trafikun ajror për të garantuar sigurinë e operacioneve, ndërsa kanë përjashtuar mundësinë e një sulmi kibernetik.
Anomalitë në rrjetin që mbështet shërbimet e kontrollit të trafikut ajror u konstatuan gjatë natës. Deri në orën 06:00 të mëngjesit, kompania arriti të menaxhonte trafikun normalisht përmes sistemeve rezervë, pa pasur nevojë të kufizonte kapacitetin operacional.
Megjithatë, me rritjen e trafikut ajror dhe vijimin e problemeve teknike, nga ora 06:00 u vendosën masa për rregullimin e flukseve të avionëve. Këto masa kanë sjellë uljen e përkohshme të numrit të avionëve që mund të menaxhohen në hapësirën ajrore italiane.
Kontrollet teknike kanë identifikuar rrjetin e transmetimit të të dhënave si burimin e anomalive, por shkaku i saktë i defektit ende nuk është përcaktuar. Teknikët po punojnë për të rikthyer funksionimin e plotë të sistemeve.
Autoriteti italian ka përjashtuar mundësinë që problemi të jetë shkaktuar nga veprime të qëllimshme, duke hedhur poshtë skenarin e një sulmi kibernetik apo sabotazhi.
Anulime dhe vonesa në aeroportin e Fiumicinos
Problemet kanë prekur edhe aeroportin e Fiumicinos në Romë, ku janë raportuar anulime dhe vonesa të fluturimeve.
Sipas të dhënave të publikuara nga mediat italiane, katër fluturime janë anuluar, me destinacione Milano Linate, Riad, Tiranë dhe Trieste. Ndërkohë, rreth 20 fluturime të tjera kanë pësuar vonesa nga 15 deri në 60 minuta.
Autoritetet aeroportuale u kanë bërë thirrje pasagjerëve të kontrollojnë statusin e fluturimeve pranë kompanive ajrore, pasi situata mund të sjellë anulime dhe vonesa të tjera.
Problemi prek trafikun ajror në shkallë kombëtare, përfshirë avionët që nisen ose mbërrijnë në aeroportet italiane, si dhe ata që kalojnë tranzit në hapësirën ajrore të vendit.


