Italia ka zgjatur edhe për një javë pezullimin e lëvizjes pa kontrolle kufitare me Spanjën, pas rritjes së numrit të migrantëve që mbërritën në enklavën spanjolle Ceuta në fund të korrikut.
Një burim nga qeveria italiane konfirmoi të premten se masa do të vazhdojë, ndërsa një zëdhënës i qeverisë spanjolle bëri të ditur se ministrat e Brendshëm të të dyja vendeve do të diskutojnë gjatë javës së ardhshme mundësinë e heqjes së kontrolleve.
Vendimi i fundit i Romës vjen pasi edhe Madridi e ka zgjatur pezullimin e marrëveshjes së Shengenit me Italinë deri më 22 tetor.
Italia i riktheu kontrollet kufitare me Spanjën më 31 korrik, pas një fluksi të madh migrantësh nga Maroku drejt Ceutës, territor spanjoll në Afrikën e Veriut.
Sipas raportimeve, mbi 72 mijë migrantë kishin hyrë në këtë enklavë, duke nxitur shqetësime për sigurinë, shkruan Reuters.
Qeveria italiane ka argumentuar se prania e mijëra migrantëve pa dokumente në territorin spanjoll paraqet rrezik për sigurinë e brendshme dhe mundësi për infiltrime terroriste.
Nga ana tjetër, Madridi i ka cilësuar masat e Italisë si të padrejta, në kundërshtim me interesat e Bashkimit Evropian dhe diskriminuese ndaj qytetarëve spanjollë.
Bisedimet e ardhshme mes ministrave të Brendshëm vijnë pas një takimi mes kryeministrit spanjoll, Pedro Sanchez, dhe homologes së tij italiane, Giorgia Meloni, në margjinat e samitit të Këshillit Evropian këtë javë.


