Për shumë bjellorusë që jetojnë në territoret e kontaminuara nga Çernobili, pasojat e aksidentit bërthamor të vitit 1986 do të marrin fund më 1 janar 2027 – të paktën në letër.
Një njoftim i publikuar së voni thotë se 177 qytete, qyteza dhe fshatra do ta humbasin statusin e zonave të kontaminuara në fillim të vitit 2027 – një ndryshim që prek rreth 566.400 njerëz. Gjithsej, 930.600 bjellorusë jetojnë aktualisht në territore që u kontaminuan nga mbetjet radioaktive të bartura nga era pas aksidentit bërthamor në republikën fqinje sovjetike të Ukrainës.
Në gusht, Bjellorusia pretendoi se studimet e kryera gjatë periudhës 2021-2025 kishin treguar një “përmirësim të ndjeshëm të kushteve në disa vendbanime të vendosura në zonat e kontaminuara me radionuklide”. Vendimi për ndryshimin e statusit të këtyre territoreve vjen pasi udhëheqësi autoritar i Bjellorusisë, Aleksandr Lukashenko, kritikoi këtë klasifikim në një takim në prill të vitit 2025.
“Çfarë kemi bërë për 30 vjet nëse kemi 900.000 njerëz që jetojnë në zona të kontaminuara?”, tha ai, duke shtuar se “statistikat duhet të përditësohen”.
Bjellorusët që jetojnë sot në territoret e kontaminuara përfitojnë nga ndihma të konsiderueshme shtetërore, përfshirë ushqim falas për nxënësit, pushime vjetore në qendra shëndetësore për fëmijët, dhe pagesa që për disa prindër të rinj arrijnë në 150 për qind të ndihmës standarde shtetërore për kujdesin ndaj fëmijëve.
Vetëm në rajonin lindor të Homelit, rreth 88.000 fëmijë që jetojnë ose ndjekin mësimet në territore të kontaminuara përfitojnë çdo vit ushqim të financuar nga shteti. Sipas raportimeve, nxënësit që plotësojnë kriteret do të vazhdojnë të marrin ushqim falas deri në qershor të vitit 2027.
Syarhey Besarab, një ekspert bjellorus i sigurisë nga rrezatimi, i cili aktualisht jeton jashtë vendit, e kritikoi ashpër vendimin për riklasifikimin e territoreve. Sipas tij, do të duhen edhe rreth 260 vjet që ato të rikthehen në nivelet e rrezatimit që kishin para vitit 1986.
Besarab i referohet një pasoje komplekse të katastrofës së Çernobilit, ku plutoniumi-241 i depozituar në terren shndërrohet, gjatë zbërthimit radioaktiv, në americium-241, një element me toksicitet radiologjik shumë të lartë. Sipas tij, ky proces do të arrijë kulmin në fund të viteve 2050.
“Çrregullimi i statusit të këtyre territoreve pak para një rritjeje të dytë të radioaktivitetit ekstrem alfa përbën një dështim katastrofik të analizës paraprake të sigurisë”, tha ai për Radion Evropa e Lirë (REL).
Ai shtoi se disa zona brenda territoreve të kontaminuara kanë pika të lokalizuara me nivele të larta radioaktiviteti, të cilat nuk merren parasysh nga “teknikat e vjetruara sovjetike të vlerësimit në shkallë të gjerë” që përdor Bjellorusia.
Megjithatë, jo të gjithë ekspertët pajtohen për nivelin e rrezikut që paraqet ende rrezatimi.
Jim Smith ka studiuar pasojat e ndotjes radioaktive nga Çernobili për 35 vjet dhe ishte autori kryesor i një libri për katastrofën bërthamore. Shkencëtari britanik i mjedisit tha se sot, në shumicën e zonave të Bjellorusisë dhe Ukrainës, rreziku nga rrezatimi është kryesisht i kufizuar te njerëzit që mbledhin ushqime të egra dhe peshkatarët.
“Rruga kryesore përmes së cilës njerëzit marrin radioaktivitet në organizëm është konsumimi i ushqimeve të egra – kur shkojnë në pyll dhe hanë kërpudha, mbledhin fruta pylli ose kapin peshq”, tha ai për REL-in.
Autoritetet lokale në Bjellorusi ofrojnë kontrolle falas të radioaktivitetit të ushqimeve të egra, ndërsa njerëzit paralajmërohen të mos blejnë kërpudha dhe fruta pylli nga shitësit ambulantë.
Në shumicën e zonave urbane, tha Smith, ndotja radioaktive nga Çernobili është pakësuar ndjeshëm, si pasojë e shiut, erës dhe gjysmëjetës së shkurtër të shumë izotopeve të çliruara gjatë katastrofës.
Eksperti i rrezatimit përmendi ceziumin-134, i cili, sipas tij, “pak a shumë u zhduk gjatë 10 viteve të para pas aksidentit”, për shkak të gjysmëjetës së tij prej dy vjetësh. Pjesa më e madhe e materialit radioaktiv që mbetet sot në Bjellorusi është ceziumi-137, i cili ka një gjysmëjetë më të gjatë.
Jashtë zonës së përjashtimit me radioaktivitet të lartë, në kufirin e Bjellorusisë me Ukrainën, ku njerëzve u ndalohet të jetojnë, Smith tha se nuk sheh rrezik të konsiderueshëm nga rrezatimi në shumicën e territoreve të kontaminuara.
Në Ukrainë, çdo vit shpenzohen dhjetëra miliona dollarë për ndihma për personat e prekur nga katastrofa e Çernobilit, por Smith parashikon se Kievi nuk ka gjasa të ndjekë shembullin e Minskut dhe të ndryshojë statusin e territoreve të kontaminuara në një të ardhme të afërt.
“Qeveria [bjelloruse] ka qenë shumë më autoritare, siç mund ta imagjinoni, duke thënë: ‘Epo, kjo është ajo që do të bëjmë, pavarësisht gjithçkaje’”, tha ai.
Në të kundërt, shtoi ai, ukrainasit që jetojnë në zonat e prekura nga Çernobili “kanë votuar për politikanë që nuk duan të ndryshojnë status quo-në”.
Këtë perceptim e ndan edhe Andrey, një bjellorus i lindur në juglindje të vendit, i cili vuan nga një sëmundje kronike që beson se lidhet me Çernobilin. Mbiemri i 47-vjeçarit nuk është bërë publik për arsye sigurie.
“Autoritetet bjelloruse nuk u interesojnë se çfarë mendojnë njerëzit”, tha ai për Shërbimin e Bjellorusisë të REL-it.
“Nuk ka zgjedhje, regjimi nuk ndryshon kurrë, prandaj ata nuk shqetësohen se si i perceptojnë votuesit”, tha ai, duke shtuar se “këto përfitime shpesh ishin thjesht simbolike për njerëzit – me to nuk mund të blesh një makinë apo të ndërtosh një shtëpi. Por, megjithatë, ishte një lloj ndihme”.
Smith tha se çështja e ndihmave për personat e prekur nga Çernobili ka rezultuar komplekse dhe, në disa raste, kundërproduktive.
“Ishte relativisht e lehtë të klasifikoheshe si viktimë e Çernobilit, edhe kur provat për efektet shëndetësore ishin shumë të paqarta”, tha shkencëtari i mjedisit. “Me përjashtim të rasteve të zjarrfikësve që ndodheshin në central natën e katastrofës, për shumicën dërrmuese të miliona njerëzve të prekur, probabiliteti që ata të kenë pësuar pasoja shëndetësore prej saj është shumë i ulët. Megjithatë, ata u klasifikuan si viktima të Çernobilit”.
Një raport i vitit 2002 nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, që trajtonte pasojat e katastrofës, vuri në dukje se sistemi i ndihmave nxiste “sjellje potencialisht të dëmshme ose shpërdoruese”.
Raporti përmendte raste të njerëzve që ktheheshin për të jetuar në territore të kontaminuara “për të përfituar një nivel më të lartë ndihmash”, si dhe të tjerëve që refuzonin të hapnin biznese nga frika se mund të humbnin përfitimet që u takonin si të prekur nga Çernobili.
Megjithatë, banorët në Bjellorusi thonë se ka pak gjasa që ndryshimi ligjor i planifikuar, i cili do të ketë ndikim të madh te shumë njerëz në këtë vend autoritar, të shkaktojë kundërshtime të gjera.
“Në Bjellorusinë e sotme, është e rrezikshme të shprehësh pakënaqësi për çfarëdo çështjeje”, tha Viktar, i cili ka lindur në një vendbanim që sot ndodhet brenda zonës së përjashtimit, për Shërbimin e Bjellorusisë të REL-it.
Burri 43-vjeçar, i cili tani jeton në rajonin e Hrodnës, shtoi se “njerëzit thjesht mbajnë kokën ulur dhe vazhdojnë jetën e tyre”.


