Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit M.Gj. për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Sipas aktakuzës, gjatë periudhës 1998 – 1999, në Komunën e Zveçanit, i pandehuri M.Gj., në bashkëkryerje me pjesëtarët të tjerë të forcave policore serbe dhe nën përgjegjësinë individuale dhe atë komanduese, në cilësinë e Komandantit të Repartit Policor (përbërja rezerve) në Komunën e Zveçanit, ka kryer vrasje, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullatës civile.
Po ashtu, më 29 prill 1999, i pandehuri me pjesëtarë të tjerë të paindentifikuar, të organiuzuar në formacione të strukturuara, të uniformuar, pjesëtarë të Ushtrisë Jugosllave dhe të policisë serbe, kishte ndërmarrë operacion për rrethimin e fshatit në Komunën e Zveçanit.
Gjatë operacionit, u vranë tre banorë civilë, ndërsa shtatë persona të tjerë u rrëmbyen, u dogjën shtëpi dhe u shkatërrua pasuri materiale. Trupat e gjashtë prej tyre u gjetën në varrezat e fshatit Suhodoll, ndërsa trupi i viktimës së shtatë ende nuk është gjetur.
Rasti i është kaluar për shqyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa i pandehuri ndodhet në paraburgim.


