Kompanitë europiane të industrisë së mbrojtjes po rrisin masat e sigurisë për drejtuesit e tyre, pas paralajmërimeve nga shërbimet e inteligjencës se Rusia po shënjestron personat në krye të firmave që mbështesin ushtarakisht Ukrainën.
Kërcënimi përfshin si prodhuesit e mëdhenj të armatimeve, ashtu edhe kompanitë më të vogla që prodhojnë dronë dhe përbërës të ndryshëm, duke shtuar kostot e sigurisë në të gjithë sektorin.
Sipas Financial Times, zyrtarë nga pesë agjenci europiane të inteligjencës kanë konfirmuar se operativët e Kremlinit po përqendrohen gjithnjë e më shumë te drejtorët ekzekutivë dhe drejtuesit e tjerë të kompanive të mbrojtjes.
Këto veprime konsiderohen pjesë e zgjerimit të fushatës ruse të sabotimit dhe operacioneve të tjera hibride në kontinentin e vjetër. Ligjvënësit gjermanë në veçanti janë paralajmëruar se Rusia po planifikon qëllimisht akte dhune ndaj individëve, duke përdorur aktorë shtetërorë ose grupe të kontrolluara prej saj.
Metodat, objektivat dhe personat e përfshirë në këto operacione thuhet të jenë në ndryshim të vazhdueshëm, ndërsa përdorimi i rrjeteve të krimit të organizuar po bëhet gjithnjë e më i shpeshtë.


