Vrasja e një kirurgu plastik ka tronditur qytetin e Marbella-s në Spanjë, pasi 57-vjeçari Alexander Aslani u qëllua për vdekje brenda klinikës së tij, në prani të një pacienti. Autori, i cili ishte i maskuar, dyshohet se e qëlloi disa herë mjekun, përfshirë në kokë, përpara se të largohej nga vendngjarja me një motor.
Aslani, i cili kishte qindra mijëra ndjekës në rrjetet sociale, ku promovonte punën e tij, ishte themelues i klinikës Cirumed. Ai ishte specializuar në kirurgjinë estetike, përfshirë ndërhyrjet për zmadhimin dhe formësimin e vitheve, të njohura si BBL. Sipas raportimeve të mediave lokale, ngjarja ndodhi të mërkurën dhe shkaktoi tronditje në qytetin spanjoll.
Një ditë pas vrasjes, policia njoftoi arrestimin e një 18-vjeçari nga Suedia, i cili dyshohet se është i përfshirë në ekzekutimin e kirurgut. Hetuesit po shqyrtojnë disa pista, përfshirë mundësinë që vrasja të jetë porositur nga persona të tjerë.
Sipas raportimeve të mediave, një nga pistat e hetimit lidhet me vdekjen e një pacienti të pasur nga Amerika e Jugut gjatë një ndërhyrjeje kirurgjikale. Megjithatë, persona pranë mjekut kanë pretenduar se ai nuk kishte humbur asnjëherë një pacient në rrethana të tilla. Deri tani, kjo pistë nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.
Një tjetër element që po shqyrtohet nga hetuesit janë mesazhet kërcënuese që, sipas gazetës lokale Sur, një grua i kishte dërguar kirurgut disa orë përpara sulmit. Në mesazhe, ajo shprehte pakënaqësi për rezultatin e një trajtimi dhe kërkonte kthimin e parave. Policia po vijon hetimet për të zbardhur motivin e vrasjes dhe për të përcaktuar nëse personat e përfshirë kanë vepruar me porosi.


