Pesë persona kanë humbur jetën nga shembja e tre kateve të një pallati 7-katësh në zonën Maltepe, në pjesën aziatike të Stambollit.
Sipas guvernatorit të Stambollit, katër persona humbën jetën në vendngjarje, ndërsa një tjetër ndërroi jetë në spital.
Mes viktimave është edhe një vajzë 5-vjeçare. Ndërkohë, për arsye sigurie janë evakuuar tre ndërtesa pranë pallatit të shembur, ku jetonin 55 persona. Prej tyre, 44 janë sistemuar në hotele.
Shkaqet e shembjes mbeten nën hetim. Nga rrënojat janë marrë mostra betoni dhe armature për ekspertizë, ndërsa në lidhje me ngjarjen janë arrestuar arkitekti i ndërtesës dhe përgjegjësi i kantierit.
Ministri i Brendshëm turk, Mustafa Çiftçi, konfirmoi përfundimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit dhe shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave.


