Terminalet e videolotarisë, të blera për nevojat e Lotarisë Shtetërore, nuk janë vënë asnjëherë në përdorim dhe vazhdojnë të qëndrojnë në magazina. Kështu deklaroi në seancën e sotme për rastin “Lotaria” dëshmitari Aleksandar Andonov, drejtor i Sektorit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit në këtë institucion.
Në këtë proces, mes të akuzuarve janë ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorisë, Andonov tha se punon në Lotari që nga viti 2017, është jurist me profesion dhe ka qenë anëtar i komisionit për zbatimin e procedurës së blerjes së terminaleve VLT.
“Terminalet nuk janë vënë asnjëherë në përdorim për nevojat e Lotarisë Shtetërore. Sektori kompetent ka dërguar kërkesa në Drejtorinë e të Ardhurave Publike dhe në Ministrinë e Financave. Megjithatë, pajisjet ndodhen në magazinat e Lotarisë Shtetërore dhe nuk janë në përdorim”, deklaroi dëshmitari.
Ai shtoi se nuk mund të saktësonte për cilat kërkesa ishin marrë vendime pozitive apo negative për vënien e pajisjeve në funksion.
I pyetur nga prokurori për arsyet pse terminalet nuk ishin përdorur, Andonov tha se Lotaria kishte dorëzuar kërkesat përkatëse, por vendimmarrja u takonte institucioneve kompetente. Për këtë arsye, ai nuk mund të shpjegonte pse pajisjet nuk ishin vënë në përdorim.
Gjatë seancës, Grubi e pyeti dëshmitarin nëse kishte dijeni që plani financiar ishte shqyrtuar në një mbledhje qeveritare katër muaj përpara marrjes së vendimit, në një seancë që, sipas pyetjes së tij, ishte kryesuar nga Fatmir Bytyqi.
Andonov u përgjigj se nuk kishte informacion për kohën e mbajtjes së mbledhjes, personin që e kishte kryesuar apo përbërjen e saj.
“Nga ana procedurale, ne e dorëzojmë planin financiar për shqyrtim përmes sistemit e-Qeveria. Se si zhvillohet më pas procedura brenda Qeverisë, nuk e di”, tha ai.
Përveç Grubit dhe Bajramit, i cili gjykohet në mungesë, në këtë rast akuzohen edhe Metodija Dimevski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski, Aleksandar Dimitrioski dhe Bashkim Avdiu.
Aktakuza, e përfaqësuar nga prokurorët Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski, lidhet me veprime të ndërmarra gjatë viteve 2023 dhe 2024. Sipas prokurorisë, të akuzuarit kanë tejkaluar autorizimet zyrtare dhe i kanë shkaktuar Lotarisë Shtetërore dëm prej 9,7 milionë eurosh.
Prokuroria pretendon se Lotaria Shtetërore nuk kishte të drejtë të organizonte në mënyrë të pavarur lojëra elektronike të fatit përmes terminaleve VLT dhe se të akuzuarit kishin dijeni për këtë kufizim.
Sipas aktakuzës, kjo e drejtë ekskluzive ishte bartur që në vitin 2013 si kontribut jomonetar, i vlerësuar në mbi 6,2 milionë euro, gjatë themelimit të shoqërisë së përbashkët “Videolotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë – CASINOS AUSTRIA”, ku Lotaria zotëron 51 për qind të kapitalit.
Megjithatë, sipas prokurorisë, në maj të vitit 2023 drejtuesit e atëhershëm i kishin dorëzuar Qeverisë informacion për nisjen e aktiviteteve për blerjen e pavarur të aparateve të pokerit dhe terminaleve VLT.
Gjatë hetimit, vepra penale fillestare “Përvetësim” u rikualifikua në “Keqpërdorim të pozitës zyrtare”, pasi nuk ishin siguruar prova të mjaftueshme për përvetësim. Sipas informacionit të raportuar për rastin, për veprën me të cilën ngarkohen të akuzuarit parashikohet dënim nga një deri në pesë vjet burg./Fokus


