Rrjetet sociale janë bërë pjesë e pandashme e jetës së përditshme, por për Jeremy Allen White, kjo nuk do të thotë se duhet të jenë pjesë e fëmijërisë me çdo kusht. Aktori, i cili është baba i dy vajzave, ka folur hapur për shqetësimin e tij mbi ndikimin që platformat sociale mund të kenë te të rinjtë. Në premierën në New York të filmit The Social Reckoning, ku interpreton gazetarin e Wall Street Journal, Jeff Horwitz, White u ndal pikërisht te marrëdhënia me rrjetet sociale dhe mënyra se si ato kanë ndryshuar perceptimin që njerëzit kanë për veten dhe të tjerët.
“Jam vërtet i shqetësuar për të rinjtë dhe sigurisht edhe për vajzat e mia”, është shprehur aktori. Sipas tij, rritja në ditët e sotme është edhe më e vështirë, pasi krahasimit të zakonshëm me bashkëmoshatarët i është shtuar edhe një botë e tërë që gjendet brenda telefonit. White theksoi se fëmijët përballen shumë herët me një realitet ku vazhdimisht krahasojnë jetën, pamjen dhe arritjet e tyre me atë që shohin online.
“Është e vështirë të rritesh duke e krahasuar veten me fëmijët e tjerë në shkollë apo në komunitetin tënd. Pastaj ke këtë pajisje në xhep dhe papritur sheh një botë me të cilën vazhdimisht po e krahason veten”, tha ai. Për aktorin, sfida është që fëmijët të kenë mundësinë të kuptojnë fillimisht se kush janë, përpara se të fillojnë ta matin veten me të tjerët.
Ai pranoi se Facebook dhe Instagram kanë edhe anë pozitive, pasi mundësojnë komunikimin, informacionin dhe njohjen me njerëz nga e gjithë bota. Por problemi, sipas tij, nis kur përdorimi kthehet në varësi, sidomos kur kjo ndodh në moshë shumë të vogël. “Kur krijohet një varësi, veçanërisht te të rinjtë që fillojnë t’i përdorin shumë herët, atëherë kjo bëhet e frikshme për mua”, u shpreh White.
Dhe për vajzat e tij, aktori duket se e ka marrë një vendim të qartë: “Do të përpiqem t’i mbaj larg rrjeteve sociale sa më gjatë të mundem.” Vetë White ka zgjedhur një mënyrë mjaft interesante për të kufizuar përdorimin e rrjeteve sociale. Ai tregon se e fshin aplikacionin nga telefoni, duke e lënë gjithmonë mundësinë për ta rikthyer. Por procesi i riinstalimit i jep kohë të mendohet dy herë. “Kur përpiqem ta shkarkoj sërish, duhet të kujtoj fjalëkalimin, të marr mesazhe apo email-e dhe, kur më në fund përfundoj gjithë procesin, nuk dua më të hyj”, rrëfeu ai.


