Analisti politik, Astrit Gashi ka deklaruar se pas zhvillimeve të fundit politike në vend, ende nuk është e qartë se cilat parti do të jenë në pushtet dhe cilat në opozitë.
Gashi tha se ekziston mundësia që LDK-ja dhe AAK-ja të jenë në opozitë, ndërsa Vetëvendosje dhe PDK-ja të bashkëpunojnë në çështje të caktuara.
“Ende se dimë me cfarë numra është po flasim. Ne ende se dimë kush është pushteti në Kosovë dhe kush është opozita në Kosovë. Ka shumë mundësi që opozita në Kosovë të jetë vetëm LDK dhe AAK. Dhe ka shumë mundësi që pushteti në një formë në Kosovë të jetë edhe VV edhe PDK. Sepse shumë pika kanë me qenë tash që ndërlidhen”, tha Gashi në Debat Plus.
Ai përmendi mbrojtjen në Hagë, politikën dhe lobimin si disa prej çështjeve që mund të krijojnë bashkëpunim mes PDK-së dhe VV-së.
“Për shembull, mbrojtja në Hagë ka me e ndërlidh për herë të parë PDK-në me VV-në. Politika, lobimi, këto të gjitha që po kërkohen, kanë me qenë instrumente që e lidhin PDK-në me VV-në”, u shpreh ai.
Megjithatë, Gashi tha se nuk mund të parashikojë nëse një bashkëpunim i tillë do të shndërrohet në një koalicion në të ardhmen e afërt.
“Sa ka me arritë kjo lidhje me u shndërru në një të ardhme të afërt, ndoshta në një koalicion, atë nuk e di. A ka me u shndërru, atë nuk e di”, tha ai.
Gashi shtoi se PDK-ja, sipas tij, ende duhet të përballet me pasiguritë e saj politike, ndërsa theksoi se nuk dëshiron të shpallë fitues apo humbës në zhvillimet e fundit.
“A ka me shndërru, atë nuk e di. Por une nuk e di ende çka është PDK-ja. Sepse ende PDK-ja duhet mu shëru nga pasiguritë e saj. Pasiguritë që i ka”, ka theksuar ai.


