Një nga shqetësimet kryesore të ngritura nga psikologia klinike Rudina Koromani lidhet me përdorimin e inteligjencës artificiale si zëvendësues i këshillimit psikologjik profesional. Sipas saj, ky trend është veçanërisht i rrezikshëm për shkak se AI priret gjithmonë të validojë çdo mendim apo veprim të përdoruesit, pavarësisht nëse ai është i drejtë apo jo.
“Nëse unë i them AI-së ‘e trajtova të dashurën time sepse u ndjeva keq’, ajo do të më konfirmojë se kam bërë mirë,” shpjegon Koromani, duke theksuar se kjo është krejt e kundërta me atë çfarë bën një psikolog i vërtetë.
Ndryshe nga chatbot-et, psikologu analizon vazhdimisht gjatë seancës terapeutike, merr parasysh gjuhën e trupit, heshtjet, emocionet dhe sfidon mendimet e pacientit kur është e nevojshme. Kjo qasje kritike dhe sfiduese mungon plotësisht në bisedat me inteligjencën artificiale, e cila priret të jetë gjithmonë e kënaqshme dhe konfirmuese.
Ekspertët theksojnë se ky fenomen po prek jo vetëm brezat e rinj, por edhe të rriturit mbi 40-50-60 vjeç, të cilët po eksperimentojnë gjithnjë e më shumë me AI për çështje personale dhe emocionale, duke rrezikuar të humbasin aftësinë për të kërkuar ndihmë të vërtetë njerëzore.


