Aktori Albano Bogdo ka reaguar ndaj kritikave që u bënë për një numër humoristik të puntatës së kaluar të ‘Portokalli’, i cili u lidh me protestat e fundit në vend dhe u keqkuptua gjerësisht nga pjesë e publikut. Sipas Bogdos, numri në fjalë ishte thjesht i frymëzuar nga ngjarje që kanë ndodhur gjatë protestës, pa asnjë shtim apo qëllim denigrues. “Ata që e kanë keqkuptuar nuk kanë keqkuptuar asgjë, thjesht gënjejnë njerëzit e thjeshtë,” u shpreh ai me vendosmëri.
Aktori theksoi se askush nuk e ka kundërshtuar të drejtën e protestuesve për 130 ditë rresht, ndërsa vuri në dukje pabarazinë që krijohet kur humoristëve u kërkohet heshtje.
Në qoftë se nuk ju pëlqen humori, ndërroni kanal. Është kaq e thjeshtë.
Bogdo foli gjithashtu për fenomenin global të reagimeve negative në rrjetet sociale, duke theksuar se çdo program humoristik në botë, përfshirë ‘late night shows’ të njohura amerikane, përballet me të njëjtin lloj kritike nga anonimë në internet. Ai shprehu habinë e tij se si disa njerëz harxhojnë kohë për të shkruar komente në vend që t’i kushtohen familjes, punës apo aktiviteteve të tjera jetësore.
“Në qoftë se do të ulesh të shikosh për çfarë kemi punuar gjithë javën dhe të qeshësh, ulu. Në qoftë se nuk të shijon, ndërro kanal,” përfundoi aktori, duke theksuar se nuk do të ulë standardet e punës së tij për shkak të kritikave anonime.


