Vdekja e papritur e Presley Gerber në moshën vetëm 27-vjeçare ka lënë pas dhimbje të madhe te njerëzit që e njohën nga afër. Mes tyre është edhe ish-e dashura e tij, modelja Charlotte D’Alessio, e cila zgjodhi të flasë publikisht për humbjen përmes një serie fotografish dhe kujtimesh nga lidhja e tyre.

D’Alessio publikoi në Instagram Stories disa fotografi dhe video të vjetra me Presley-n, duke ndarë një mesazh të ndjerë për ish-partnerin e saj.
Kam ndarë një dashuri të pastër me ty dhe jam falenderuese, e nderoj jetën tënde. Meritoje më shumë kohë. Meritoje më shumë jetë. Shumë e nervikosur për këtë.
-shkroi ajo.

Në një tjetër postim, modelja shkroi:
Të dua Pres. Gjithmonë. Atje lart, këtu poshtë. Te gjithë të duam shumë. Unë shpresoj ta ndjesh.
Krahas fjalëve të saj, ajo publikoi edhe momente të tjera nga koha që kishin kaluar së bashku.
Një prej videove e tregon Presley-n duke vrapuar drejt ujit, me një qen pas tij.
Do të të kujtoj gjithmonë në këtë mënyrë
-shkroi D’Alessio, duke ruajtur kështu një kujtim të tij larg kamerave dhe famës.

Presley dhe Charlotte ishin lidhur për herë të parë në vitin 2017 dhe kishin një marrëdhënie që zgjati rreth dy vjet, duke nisur zyrtarisht në vitin 2018. Në atë periudhë, të dy ishin figura të njohura në botën e modelingut.
Presley Gerber, djali i supermodeles Cindy Crawford dhe biznesmenit Rande Gerber, u gjet i pajetë më 20 shtator në një qendër rehabilitimi në Santa Monica. Policia lokale po e heton vdekjen si mbidozë të dyshuar, ndërsa autoritetet kanë thënë se nuk ka aktualisht shenja të ndërhyrjes së një personi tjetër.

Megjithatë, shkaku zyrtar i vdekjes ende nuk është përcaktuar. Zyra e Ekzaminuesit Mjekësor të Los Angeles County ka bërë të ditur se ekzaminimi është kryer, por shkaku dhe mënyra e vdekjes janë shtyrë për një vendim të mëvonshëm, pasi nevojiten analiza dhe ekzaminime shtesë.
Vdekja e tij ka sjellë një valë reagimesh nga njerëz të afërt dhe figura të njohura. Paris Hilton e përshkroi veten si “plotësisht të zemërthyer”, ndërsa Brooklyn Beckham e kujtoi Presley-n si “më të mirin”.
Presley kishte folur publikisht gjatë viteve të fundit për betejat e tij me shëndetin mendor dhe varësinë. Në vitin 2025, ai nisi edhe serinë “Mental Health Mondays”, me synimin për të nxitur biseda më të hapura rreth problemeve që njerëzit shpesh i mbajnë të fshehura.
Motra e tij, Kaia Gerber, kishte folur vetëm pak javë para vdekjes së Presley-t për betejën e gjatë të vëllait të saj me varësinë. Në një intervistë për Vogue, ajo e përshkroi hapjen e tij publike si diçka që e kishte ndihmuar familjen të mos e fshihte më një realitet të dhimbshëm.
Familja Gerber ka kërkuar privatësi pas humbjes së 27-vjeçarit. Ndërsa hetimi vazhdon, fjalët e Charlotte D’Alessio sjellin një tjetër portret të Presley-t: jo vetëm modelin dhe djalin e një prej familjeve më të njohura të Hollywood-it, por njeriun me të cilin ajo thotë se ndau një “dashuri të pastër” dhe të cilin, sipas saj, “e meritonte më shumë kohë”.


