Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues ndërkombëtarë gjatë Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.
Konjufca ka bërë të ditur se së bashku me kryeministrin Albin Kurti është takuar me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković, dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane, Gordan Grlić Radman.
“Së bashku me Kryeministrin Kurti, zhvilluam një takim me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković, dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane, Gordan Grlić Radman. Kroacia është një prej partnerëve më të afërt të Kosovës në rajon, me të cilën ndajmë interesa të rëndësishme në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe në avancimin e perspektivës euroatlantike të vendit tonë”, ka shkruar Konjufca.
Ai ka theksuar se bashkëpunimi i konsoliduar ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë krijon mundësi për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Ky partneritet i konsoliduar ndër vite krijon mundësi të reja për ta thelluar edhe më tej bashkëpunimin mes dy vendeve tona”, ka deklaruar Konjufca.
Në New York, Konjufca është takuar edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Holandës, Tom Berendsen, me të cilin ka diskutuar për aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Takova Ministrin e Punëve të Jashtme të Holandës, Tom Berendsen, të cilit i ngrita çështjen e aktgjykimit të padrejtë të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit”, ka shkruar ai.
Konjufca ka thënë se gjatë takimit ka shprehur qëndrimin e Kosovës se aktgjykimi duhet të korrigjohet në shkallën e Apelit.
“I shpreha qëndrimin tonë se ky aktgjykim shtrembëron të vërtetën historike, përbën një padrejtësi serioze dhe duhet të korrigjohet në shkallën e Apelit”, ka deklaruar Konjufca.
Krahas këtyre takimeve, Konjufca ka zhvilluar një takim edhe me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, L.T. Sheikun Abdullah bin Zayed Al Nahyan.
“Marrëdhëniet politike mes Kosovës dhe Emirateve janë të shkëlqyera; synimi ynë është që kësaj afërsie t’i japim edhe më shumë përmbajtje ekonomike. Biseduam për rritjen e investimeve dhe për mundësitë konkrete të bashkëpunimit ndërmjet vendeve tona në vitet në vijim”, ka shkruar Konjufca.
Ai ka bërë të ditur se ka takuar edhe ministrin e Jashtëm të Xhibutit, Abdoulkader Houssein Omar, ndërsa ka zhvilluar biseda me kryeministrin e Ruandës, Justin Nsengiyumva, dhe ministrin e Jashtëm të këtij shteti, Olivier Nduhungirehe.
“Gjithashtu, takova edhe Ministrin e Jashtëm të Xhibutit, Abdoulkader Houssein Omar, ndërsa pata mundësinë të shkëmbej mendime edhe me Kryeministrin e Ruandës, Justin Nsengiyumva, dhe Ministrin e Jashtëm, Olivier Nduhungirehe. Biseduam për forcimin e marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe këtyre vendeve”, ka thënë ai.
Konjufca ka theksuar se angazhimi në New York do të vazhdojë me fokus në forcimin e partneriteteve ndërkombëtare të Kosovës.
“Nga New Yorku, vazhdojmë angazhimin për forcimin e partneriteteve të Kosovës dhe avancimin e interesave të vendit tonë në arenën ndërkombëtare”, ka shtuar Konjufca.


