E vërteta historike për luftën çlirimtare është e pamohueshme.
Kështu është deklaruar Andin Hoti përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, me rastin e 28 vjetorit të Fehmi dhe Xhevë Lladrovci.
Postimi i plotë:
“Shqiptarët kanë pritur shumë kohë për t’i parë Bashkësia Evropiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës padrejtësitë që i janë bërë popullit shqiptar.”
Ndonëse të thëna në një kontekst krejt tjetër, fjalët e heroit Fehmi Lladrovci, drejtuar mediave ndërkombëtare nga malet e Drenicës në vitin 1998, na tregojnë më së miri rrugën që duhet të ndjekim sot: fatmirësisht, jo më me armë, por të bashkuar dhe duke përdorur çdo mundësi e mekanizëm institucional, juridik dhe diplomatik.
Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë që para Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjithë botës dhe, para së gjithash, para Gjykatës së Apelit, të mbrojmë dhe rikonfirmojmë të vërtetën dhe pastërtinë e luftës së drejtë të UÇK-së, si dhe pafajësinë e ish-drejtuesve të saj: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
E vërteta historike për luftën çlirimtare është e pamohueshme. Por beteja juridike, politike dhe diplomatike për mbrojtjen e saj vazhdon dhe ne, si komb dhe si shtet, nuk guxojmë t’i ndahemi.
Në 28-vjetorin e rënies, kujtojmë me nderimin më të lartë dëshmorët Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, Shefqet Zekën dhe Fatime Hetemin.
Më 22 shtator 1998, pas depërtimit të forcave serbe në drejtim të Çikatovës dhe Gllanasellës, katër dëshmorët e paharruar të UÇK-së ranë në përballje me forcat pushtuese serbe, në fshatin Gradinë, për të mos vdekur kurrë.
Lavdi e përjetshme Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, Fatime Hetemit dhe Shefqet Zekës!
Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!


