Juventusi është gjobitur me 10 mijë euro për shkak të sjelljes së një grupi tifozësh gjatë minutës së heshtjes për legjendën e Interit dhe futbollit italian, Sandro Mazzola, para ndeshjes ndaj Atalantës.
Një pjesë e vogël e tifozëve të vendosur në tribunën jugore të stadiumit “Allianz” nuk iu bashkua homazhit për Mazzolan. Ata i kthyen shpinën fushës dhe gjatë minutës së heshtjes kënduan këngë kushtuar figurave të ndjera të Juventusit, mes tyre Gaetano Scirea, Andrea Fortunato dhe Gianni Agnelli.
Vendimi për gjobën është marrë nga gjyqtari sportiv Gerardo Mastrandrea. Në arsyetimin e tij, ai ka marrë parasysh edhe reagimin e klubit të Juventusit, i cili dënoi publikisht sjelljen e tifozëve.
Sipas vendimit, bëhej fjalë për një përqindje të vogël të tifozëve të vendosur në pjesën e parë të tribunës jugore, ndërsa pjesa tjetër e publikut në stadium nuk e ndoqi këtë veprim dhe respektoi minutën e heshtjes.
Dënimi prej 10 mijë eurosh është konsideruar më i lehtë për shkak të reagimit të shpejtë dhe zyrtar të klubit, si dhe faktit se shumica e tifozëve u distancuan nga incidenti.
Juventusi u distancua nga incidenti
Pas incidentit, Juventusi reagoi përmes një deklarate zyrtare, duke u distancuar nga veprimi i grupit të tifozëve.
“Nuk ka rivalitet që mund të justifikojë mungesën e respektit gjatë një minute heshtjeje. Respektimi i kujtesës dhe bashkimi në përkujtimin e momenteve të tilla është një përgjegjësi e përbashkët që tejkalon përkatësinë dhe ngjyrën”, thuhej në reagimin e klubit.
Rasti shkaktoi reagime edhe jashtë ambienteve të futbollit. Presidenti i Senatit italian, Ignazio La Russa, tifoz i njohur i Interit, foli për incidentin, duke theksuar se madhështia e Mazzolas nuk mund të përcaktohet nga veprimet e një grupi tifozësh.
Mazzola, një prej figurave më të mëdha të Interit
Sandro Mazzola ishte një nga figurat më të rëndësishme në historinë e Interit dhe futbollit italian. Ai e kaloi të gjithë karrierën profesionale me klubin zikaltër, nga viti 1960 deri më 1977.
Me Interin, Mazzola fitoi katër tituj të Serie A, dy Kupa Evropiane dhe dy Kupa Ndërkontinentale, duke qenë një nga protagonistët kryesorë të skuadrës së drejtuar nga Helenio Herrera.
Me Kombëtaren e Italisë, ai u shpall kampion i Evropës në vitin 1968 dhe mori pjesë në tri edicione të Kupës së Botës.
Një nga momentet më të paharrueshme të karrierës së tij ishte finalja e Kupës Evropiane të vitit 1964, kur Interi mposhti Real Madridin 3-1 dhe Mazzola shënoi dy gola.
Ai ishte djali i Valentino Mazzolas, kapitenit të “Grande Torino”-s, i cili humbi jetën në tragjedinë ajrore të Supergës në vitin 1949. Sandro Mazzola ndërtoi më pas një karrierë që e shndërroi edhe vetë në një prej ikonave të futbollit italian.


