Céline Dion ka dhuruar një tjetër moment të paharrueshëm për fansat e saj në Paris, këtë herë jashtë hotelit ku po qëndron gjatë rikthimit të saj në skenën franceze.
Këngëtarja kanadeze është pritur prej ditësh nga fansa të shumtë jashtë “Le Royal Monceau”, të cilët mblidhen rregullisht për ta parë qoftë edhe për pak sekonda. Dhe Céline duket se nuk po i zhgënjen.

Në një prej momenteve të fundit, fansat nisën t’i këndonin ndërsa ajo doli nga hoteli. Dion iu përgjigj me entuziazëm, duke i përshëndetur dhe duke u afruar për të ndarë me ta një tjetër moment spontan.
Por ajo që tërhoqi veçanërisht vëmendjen ishte sjellja e këngëtares ndaj një prej pjesëtarëve të ekipit të sigurisë.

Në një moment, Dion iu afrua rojës së saj të sigurisë dhe e përqafoi, përpara se të vazhdonte të përshëndeste fansat. Gjesti i saj u prit me duartrokitje dhe brohoritje nga turma.
Kjo nuk është hera e parë që 58-vjeçarja ndalet për të komunikuar me admiruesit e saj gjatë qëndrimit në Paris. Ditët e fundit, ajo ka kënduar së bashku me fansat, ka bërë shaka me ta, ka pozuar dhe ka ndarë momente spontane jashtë hotelit.

Në një tjetër dalje, fansat nisën të këndonin këngën e saj të famshme “Pour que tu m’aimes encore”, ndërsa Céline iu bashkua atmosferës duke kënduar dhe kërcyer me ta.
Pamjet nga këto momente kanë qarkulluar gjerësisht në rrjetet sociale, duke treguar edhe një herë marrëdhënien e veçantë që këngëtarja ka me publikun e saj.

Céline ndodhet në Paris për një seri koncertesh në Plenitude Arena, pas një periudhe të gjatë larg skenës. Rikthimi i saj ka ngjallur entuziazëm të madh, ndërsa mijëra fansa janë mbledhur në kryeqytetin francez për ta parë performancën e saj.
Edhe jashtë skenës, duket se Céline po e shijon këtë rikthim duke qëndruar sa më pranë fansave. Dhe këtë herë, një përqafim për një prej njerëzve që kujdesen për sigurinë e saj u kthye në një nga momentet më të komentuar.


