Kryeministri Hristijan Mickoski, në një intervistë për agjencinë e lajmeve MIA gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, thotë se Maqedonia e Veriut nuk i mban inat Bullgarisë për çështjen e ndryshimeve kushtetuese, por kërkon debat dhe diskutim.
“Jemi të gatshëm të argumentojmë, jemi të gatshëm që, nëse argumentet e bashkëbiseduesit i mposhtin argumentet tona, t’i pranojmë. Nuk çojmë inat, nuk jemi kokëfortë. Por ajo që përbën synimin tonë është që strategjinë tonë, të vërtetën tonë, ta prezantojmë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe, nëpërmjet një debati politik, një lufte politike në skenën ndërkombëtare, të rikthejmë një pjesë të pozicioneve të cilat qeveritë e mëparshme na i kanë humbur”, thekson Mickoski.
Megjithatë, Mickoski thekson se Maqedonia e Veriut nuk mund të tërhiqet nga marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë edhe Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë.
“Pritshmëritë e disa elementeve radikale brenda strukturës sonë për t’u tërhequr nga marrëveshjet ndërkombëtare dhe negociatat – kjo do të ishte ideale sikur të ishim vetëm në këtë botë, por nuk jemi vetëm dhe duhet të luftojmë për t’i rikthyer pozicionet e humbura, të cilat në të kaluarën, për fat të keq, qeveria e mëparshme i minoi”, shprehet Mickoski.
Sipas Mickoskit, Maqedonia e Veriut po kërkon një zgjidhje, por nuk do të hyjë në një proces i cili nuk ka një përfundim të qartë. Çështja e ndryshimeve kushtetuese, përkatësisht përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë, mbetet kusht për vazhdimin e procesit të negociatave me Bashkimin Evropian. Megjithatë, procesi mbetet i bllokuar, pasi Qeveria e Maqedonisë së Veriut kërkon të rinegociojë marrëveshjen e nënshkruar nga qeveria e mëparshme e LSDM-së dhe BDI-së. Këto kërkesa janë kundërshtuar nga autoritetet bullgare, ndërsa Bashkimi Evropian insiston në zbatimin e marrëveshjes, e cila tashmë është pjesë e kornizës negociuese për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE. /Alsat.mk


