Procesi për dizajnin e kartëmonedhave të reja Euro synon të sjellë një pamje të re, më bashkëkohore dhe më të sigurt të parasë së përbashkët europiane. Për herë të parë, qytetarët do të kenë mundësinë të shprehin preferencat e tyre përmes një votimi online, duke marrë pjesë drejtpërdrejt në përzgjedhjen e tematikës së dizajnit të ardhshëm.
Nga MSc Roland Tashi, ekspert i çështjeve të sigurisë
Nevoja për një kartëmonedhë të re Euro nuk vjen sepse ajo është e pasigurt, por është e nevojshme që bankënotat të përditësohen periodikisht për t’u mbrojtur më mirë ndaj teknikave të reja të falsifikimit.
Seria aktuale në përdorim u krijua me elemente sigurie më të avancuara, si hologrami me portretin e Europës, filigrani dhe numri smerald për ta bërë falsifikimin më të vështirë.
Banka Qendrore Europiane (BQE) e konsideron përditësimin e elementeve të sigurisë një proces të vazhdueshëm, sepse teknologjia e falsifikimit përmirësohet dhe për këtë arsye, dizajni i ardhshëm synon të përfshijë edhe më shumë elemente sigurie.
Shifrat tregojnë se nuk ka një krizë aktuale të Euros, gjatë vitit 2025 u hoqën nga qarkullimi rreth 444 mijë bankënota false, 20% më pak se në vitin 2024.
Kishte vetëm 14 falsifikime për çdo një milion bankënota autentike, nga nivelet më të ulëta që nga krijimi i Euros.
Pjesa më e madhe e falsifikimeve prek prerjet 20 € dhe 50 € që së bashku përbëjnë rreth 80% të falsifikimeve të vitit 2025.
Duhet kuptuar se falsifikimi nuk fillon te prodhimi i një dokumenti apo paraje të rreme, por te përpjekja për ta paraqitur atë si të vërtetë.
Kur faktet manipulohen, provat deformohen dhe gjurmët e falsifikimit fshihen, publiku nuk përballet thjesht me një mashtrim, por me një përpjekje të qëllimshme për të ndryshuar të vërtetën.
Kjo është një nga arsyet që prodhohen kartëmonedha të reja, jo vetëm Euro, për të rritur nivelin e sigurisë dhe besueshmërinë e përdoruesit.
Kartëmonedhat do të ndryshojnë pamje dhe gjatë këtij procesi vendimi nuk do të merret vetëm nga ekspertët, por qytetarët europianë mund të shprehin preferencën e tyre për dizajnin e ri përmes një sondazhi online të BQE-së, i cili është i hapur deri më 21 shtator 2026.
Në garë janë dhjetë propozime, pesë të lidhura me temën “Kultura europiane” dhe pesë të tjera me temën “Lumenjtë dhe zogjtë”. Këshilli Drejtues pritet të zgjedhë projektin përfundimtar deri në fund të vitit, duke marrë parasysh edhe rezultatet e konsultimit publik.
Rruga drejt bankënotave të reja ka qenë e gjatë. Në korrik 2025, BQE-ja hapi konkursin, ku më pas u paraqitën 1.241 aplikime, prej të cilave 25 u kualifikuan në fazën e dytë.
Nga kjo fazë u krijuan gjithsej 39 propozime, 23 me temën “Lumenjtë dhe zogjtë” dhe 16 me temën “Kultura europiane”. Më pas, një juri e pavarur e përbërë nga 21 ekspertë që përfaqësonin vendet e Eurozonës, përzgjodhi dhjetë propozimet finaliste, pesë për secilën temë.
Konsultimi publik nuk do të thotë se qytetarët do të zgjedhin drejtpërdrejt çdo bankënotë më vete, ata do të vlerësojnë propozimet e përgjithshme grafike, ndërsa vendimin përfundimtar do ta marrë Këshilli Drejtues i BQE-së.
Propozimi “Kultura europiane” është veçanërisht interesant, sepse çdo prerje i kushtohet një personaliteti që ka lënë gjurmë në historinë kulturore të kontinentit. Janë gjashtë figura, që përkojnë me gjashtë prerjet e serisë së ardhshme.
Kartëmonedha 5 euro – Maria Callas
Prerja më e vogël e serisë mund t’i kushtohet botës së arteve skenike e përfaqësuar nga sopranoja e famshme Maria Callas, një nga figurat më të rëndësishme të operës së shekullit XX.
Në pjesën e pasme parashikohet një skenë rruge me artistë që merren me muzikë, vallëzim dhe teatër.
Kartëmonedha 10 euro – Ludwig van Beethoven
Bankënota lidhet me muzikën dhe kompozitorin gjerman Ludwig van Beethoven, një nga figurat më të mëdha të historisë së muzikës europiane.
Në pjesën e pasme pritet të paraqitet një festival muzikor me një kor të përbërë nga fëmijë dhe të rinj.
Kartëmonedha 20 euro – Marie Curie
Për bankënotën 20 euro, tema e zgjedhur është ajo e shkollave dhe universiteteve, ndërsa figura është Marie Curie, shkencëtarja me origjinë polake,
e natyralizuar franceze, pioniere në studimin e radioaktivitetit dhe i vetmi fitues që ka marrë çmimin “Nobel” në dy disiplina shkencore.
Në pjesën e pasme paraqitet një skenë shkollore ose universitare me një mësuese dhe nxënës të rinj.
Kartëmonedha 50 euro – Miguel de Cervantes
Protagonisti i bankënotës do të jetë Miguel de Cervantes Saavedra, autori i “Don Kishotit” dhe figurë qendrore e letërsisë europiane.
Tema është ajo e bibliotekave, të cilat në pjesën e pasme paraqiten përmes njerëzve të moshave të ndryshme duke lexuar.
Kartëmonedha 100 euro – Leonardo da Vinci
Në bankënotë do të vendoset Leonardo da Vinci, simbol i gjenialitetit europian dhe i aftësisë për të bashkuar artin, shkencën, teknikën dhe vëzhgimin e realitetit. Tema e lidhur me të është ajo e muzeve dhe ekspozitave, ku të rritur dhe fëmijë shfaqen duke admiruar vepra arti.
Kartëmonedha 200 euro – Bertha von Suttner
Prerja më e lartë e serisë do t’i kushtohet Bertha von Suttner, shkrimtares dhe aktivistes austriake për paqen, gruaja e parë që mori çmimin “Nobel” për Paqen.
Motivi i zgjedhur është ai i shesheve publike, vende ku njerëzit takohen dhe shoqërohen, ku të rriturit dhe fëmijët mund të bisedojnë, shëtisin dhe të përdorin hapësirën e përbashkët.
Zgjedhja e këtyre personazheve nuk është e rastësishme, strukturat përgjegjëse kanë kërkuar figura që mund të përfaqësojnë pasurinë kulturore europiane dhe njëkohësisht të krijojnë një lidhje mes epokave, vendeve dhe fushave të ndryshme.
Alternativa, “Lumenjtë dhe zogjtë”
Krahas kartëmonedhave të menduara me temën e kulturës është në diskutim dhe përzgjedhje edhe një alternativë tjetër e mundshme për të treguar Europën, “Lumenjtë dhe zogjtë”.
Në këtë rast nuk ka personazhe të famshëm, por një udhëtim përmes mjediseve të ndryshme natyrore dhe llojeve të shpendëve.
Kartëmonedha 5 euro tregon burimin e një lumi malor dhe paraqet zogun qukapik të mureve.
Kartëmonedha 10 euro lidhet me një ujëvarë dhe zogun peshkatar.
Kartëmonedha 20 euro: paraqet një luginë lumi dhe zogun bletëngrënës.
Kartëmonedha 50 euro tregon një lejlek të bardhë mbi një lumë me kthesa.
Kartëmonedha 100 euro paraqet një zog pranë grykëderdhjes së lumit.
Kartëmonedha 200 euro tregon një shpend detar, mbi dallgët e oqeanit.
Në pjesën e pasme, çdo mjedis natyror shoqërohet me ndërtesat e institucioneve kryesore europiane, nga Parlamenti Europian te Komisioni Europian, nga BQE-ja te Gjykata e Drejtësisë, Këshilli i Bashkimit Europian dhe Gjykata Europiane e Audituesve.
Kur do të mbërrijnë bankënotat e reja?
Për t’i parë bankënotat e reja Euro në portofolat tona dhe për t’i përdorur duhet të presim ende, pasi vendimi për dizajnin përfundimtar pritet të merret deri në fund të vitit 2026 dhe pas përzgjedhjes do të fillojnë fazat e zhvillimit, testimit, prodhimit dhe shpërndarjes.
BQE-ja thekson se do të kalojnë disa vite para se bankënotat e reja të hyjnë realisht në qarkullim, ndërkohë, bankënotat aktuale Euro do të vazhdojnë të përdoren normalisht.
Për personat që marrin ose përdorin para CASH, kjo risi nuk sjell asnjë detyrim të menjëhershëm, seritë e mëparshme të bankënotave Euro do të ruajnë vlerën e tyre dhe do të vazhdojnë të qarkullojnë së bashku me serinë e re.
Aktualisht nuk është njoftuar asnjë datë se kur bankënotat aktuale do të humbasin statusin e tyre si mjet ligjor pagese.
Përveç sa u trajtua më lart, seria e re do të jetë më e përdorshme nga personat me probleme të shikimit, si dhe do të përbëhet nga materiale më rezistente ndaj konsumimit, në përputhje me objektivin për të reduktuar gjurmën mjedisore të bankënotave.
Është e rëndësishme të theksohet se për herë të parë, qytetarët europianë mund të kenë rol të drejtpërdrejtë në vendimin se si do të duket paratë që do të përdorin çdo ditë në vitet e ardhshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.


